Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim me shoqatën e fasonëve të Shqipërisë, të cilëve iu shpjegoi Programin Ekonomik të PD, Shqipëria fiton.

Basha tha se programi i propozuar nuk është një paketë premtimesh, por angazhime që merr qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Shefi i opozitës tha se ky program nuk është program mrekullish, por program normalizimi dhe rimëkëmbje të ekonomisë dhe me të sipas tij, fiton Shqipëria.

Pa përgjigje nuk ka lënë as kritikat në lidhje me programin ekonomik, duke thënë se sipas tij politika e premtimeve të pambajtura ka dështuar dhe pikërisht për këtë arsye, kjo politikë e premtimeve boshe sipas tij, sulmon programin që Shqipëria fiton. Sipas tij plani po sulmohet nga ata që nuk bënë asgjë në 8 vite, duke iu referuar këtu qeverisë.

Çdo litër naftë, pas 25 prillit, sipas Bashës, do jetë 24 lekë më lirë! Kreu demokrat tha se detyra e parë e qeverisë është të mos vonojmë rimbursimet e TVSH. Basha iu premtoi përfaqësuese të shoqatës së fasonëve se taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ata paguajnë.

“Pa pikë diskutimi sektori i fasonëve është një nga sektorët kyç të ekonomisë shqiptare, për arsyen që sapo thatë, numrin e madh të personave që punësoni. Në shumë raste këta janë edhe personat e vetëm që sjellin të ardhura në familjet e tyre. Po kështu zhvillimet e viteve të fundit, duke përfshirë edhe zhvillimet e pandemisë, nga njëra anë ju kanë dëmtuar, ju kanë goditur rëndë. Mbi 15 mijë veta kanë humbur vendin e punës vetëm në sektorin tuaj, ky është lajmi i keq. Lajmi i mirë është që si pasojë e zhvillimeve globale, tregjet kryesore ku ju çoni produktin tuaj po mendojnë të zhvendosin apo të fuqizojnë zinxhirin e furnizimit që do të thotë që në qoftë se Shqipëria njësoj si vendet e tjera të rajonit tonë janë gati kontratat tuaja mund të rriten, mund të shumëfishohen dhe aftësia juaj për të punësuar më shumë njerëz dhe për t’i paguar më mirë mund të rritet. Natyrisht për këtë ju duhet të keni në krah shtetin. Ajo që kemi prezantuar nuk është program mrekullish, është program normalizimi dhe rimëkëmbje ekonomike. Ato nuk janë premtime, janë angazhime. Propozimet tona janë të qarta dhe janë të provuara që funksionojnë. Taksa e sheshtë 9% është një ulje jashtëzakonisht e madhe krahasuar me taksën 15% që ju paguani.

Çmimi i naftës 240 lekë të vjetra për litër karburant i shtuar në këto 8 vite. Çdo litër naftë prej ditës së parë të qeverisë të dalë nga  ota e 25 Prillit do të jetë 24 lekë më i lirë. Dhe kjo pa diskutim do të reflektohet edh në vlerën e koston e prodhimit tuaj dhe në aftësinë tuaj për të konkurruar me ofertën tuaj ne tregun Europian dhe më gjerë. Për biznesin prodhues e njëjta masë do të merret me energjinë elektrike. Dhe një pikë tjetër që dua  të përmend para se të vazhdojmë diskutimit është rimbursimi i TVSH-së. Rimbursimi i TVSH-së me të gjithë sektorët e ekonomisë është kthyer në një ankth të paparë dhe padiskutim në një kohë krize detyra e qeverisë, detyra e parë e qeverisë është të mos ta vonojë rimbursimin e TVSH-së. Ky është një nga angazhimet kryesore që kemi marrë  përpara sipërmarrjes në tërësi dhe para sipërmarrjes si e juaja në veçanti.  Me dy fjalë, nuk janë premtime, por janë  pjesë e një plani konkret. Janë  angazhime me të cilat ne e nisim që në ditën e parë  të punës, t’ju vijmë në ndihmuar  ju njerëzve të punës që të ndihmoni të punësuarit tuaj që të punësoni të tjerë dhe të përmirësoni standardin e jetës së tyre, natyrisht duke bërë të mundur që të përcillni një pjesë të fitimeve që do të vijnë si rezultat i këtyre masave edhe në objektivat që kemi në raport me rritjen e mirëqenies dhe rritjen e pagave për punonjësit shqiptare”, - u shpreh Basha.

3 objektivat e para që do të realizojë nëse do të vijë në pushtet Basha tha se janë ndalimi i largimit të forcës punëtore, rimëkëmbja e industrisë në tërësi, ndërsa e 3 është, jo thjesht për të mbajtur por për të zgjeruar dhe kapur tregjet e reja. Ndërkaq Basha shtoi se rimëkëmbja e industrisë së fasonëve në Shqipëri është plotësisht e mundur brenda 12-18 muajve të pare.

Disa nga pikat kryesore të programit ekonomik, për të cilin Basha tha se janë dashur 2 vite për ta hartuar, është hapja e 110 mijë vendeve të punës, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në 36 mijë lekë, (edhe pse më herët kishte premtuar se do e bënte 400 euro), 3 mijë lekë në muaj për bebet për 5 vitet e para të jetës.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:24
Basha tregon 3 objektivat e para: Rimëkëmbjen e industrisë së fasonëve do e bëjmë brenda 12-18 muajve

Kreu i PD Lulim Basha gjatë një takimi në selinë e PD, iu shpjegoi përfaqësuesve të Shoqatës së Fasonëve, 3 objektivat e para që do të realizojë nëse do të vijë në pushtet.

E para sipas Bashës është të ndalin largimin e forcës punëtore, e dyta shton se është rimëkëmbja e industrisë në tërësi, ndërsa e 3 është, jo thjesht për të mbajtur por për të zgjeruar dhe kapur tregjet e reja. Ndërkaq Basha shtoi se rimëkëmbja e industrisë së fasonëve në Shqipëri është plotësisht e mundur brenda 12-18 muajve të pare.

“Vështirësitë tuaja kanë qenë para tërmetit dhe para pandemisë. Këto vetëm janë thelluar. Prandaj dhe ju thashë që nuk kemi asnjë iluzion por radhën e punëve. Stabilizim pra normalizim dhe masat e para këto synojnë stabilizimin e normalizimin e situatës tuaj. Në qoftë se ju vazhdoni dhe humbni mijëra vende pune në javë, dhjetëra mijëra vende pune në muaj atëherë nuk ka asnjë kuptim të flasim për të ardhmen, se s’ka më të ardhme. Pra gjëja e parë është të ndalëm largimin e forcës punëtore apo paaftësinë tuaj për të vazhduar për të mbajtur forcën punëtore për shkak të gjithë problematikave që diskutuam deri tani.

 E dyta dhe që është po kaq e rëndësishme është rimëkëmbja e industrisë në tërësi. Dhe ne besojmë që me masat që kemi prezantuar, jo vetëm për sektorin tuaj, por edhe me masat specifike për sektorin tuaj rimëkëmbja e industrisë së fasonëve në Shqipëri është plotësisht e mundur brenda 12-18 muajve të parë. Kjo kohë nuk ka pse të humbet, por gjatë kësaj kohe ne mund të ndërtojmë së bashku vizionin jo thjesht për të mbajtur por për të zgjeruar dhe kapur tregjet e reja që mund dhe do të na ofrohen me lëshimet që po ndodhin si rezultat i ndryshimit të zinxhirit të furnizimit të Europës Perëndimore që është dhe tregu kryesor i fasonëve shqiptarë. Pra, të treja këto objektiva janë të gërshetuara”, tha Basha.

Ora 11:22
Basha u përgjigjet kritikëve: Plani i PD po sulmohet nga ata që nuk bënë asgjë! Rama dështoi të sjellë ndryshimin në ekonomi për 8 vite me rradhë

Kreu demokrat Lulzim Basha gjatë takimit me disa përfaqësues të Shoqatës së Fasonëve i është përgjigjur kritikave në lidhje me programin ekonomik të prezantuar nga PD.

Kryetari i PD, tha se sipas tij politika e premtimeve të pambajtura ka dështuar dhe pikërisht për këtë arsye, kjo politikë e premtimeve boshe sulmon programin që Shqipëria fiton. Sipas tij plani po sulmohet nga ata që nuk bënë asgjë duke iu referuar këtu qeverisë.

“Stabilizim, rimëkëmbje dhe pastaj zgjerim në bazë të një vizioni të përbashkët. Nga shpalosja e planit, plani po sulmohet, po sulmohet nga ata qe nuk bënë asgjë, po sulmohet për një arsye të thjeshtë. Njësoj si ju edhe sektorët e tjerë të ekonomisë edhe shqiptari më i thjeshtë duan ndryshim dhe ky plan është ndryshimi që ata dështuan ta sjellin për 8 vite me rradhë. Unë nuk kam ndërmend të harxhoj as një sekond kohë me sulmet e tyre, sulmet e tyre janë çertifikata e dështimit të tyre 8 vjeçar. Por mbi të gjitha janë një mësim për të gjithë politikën Shqiptare se ku përfundon politika e cila premton botën dhe nuk sjell asgjë dhe ku duhet të përfundojë çdo qeveri që mendon për vete, të rrëmbejë gjithçka për vete dhe harron njerëzit duke nisur nga njerëzit e thjeshtë e deri tek ju që jeni përgjegjës jo thjeshtë dhe vetëm për familjet e tuaja po për mijëra familjet e shqiptarëve të cilët u jepni rrogën u jepni bukën. Me këtë program fiton Shqipëria, nuk fiton vetëm partia demokratike, nuk fiton vetëm koalicioni ynë qeveritar. Fiton Shqipëria do të thotë fitoni ju, do të thotë fitojnë ato familje që mbani ju me bukë. Problemet që keni shtruar i kam të gjitha përpara këtu, përgjigjet që u kemi dhënë me planin i keni të gjithë besoj të qarta. Angazhimi i përbashkët është rruga për ta nxjerr industrinë tuaj nga kriza, pra për ta stabilizuar, për ta rimëkëmbur. Me këtë plan ne do të bëjmë të mundur jo më të humbni vende pune por të mbani forcën punëtore, të përmirësoni kushtet dhe pagesat e tyre, të rrisni fitimin tuaj, të shtoni forcën punëtore, diversifikoni prodhimin dhe ta kthejmë Shqipërinë prapë lider për sa i përket industrisë së rieksportimit apo fasonëve siç i njeh gjithë Shqipëri, - u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha, gjatë takimit me përfaqësuesit e fasonëve.