Nxënësit e shkollës 9-vjeçare “3 Dëshmorët” në Vloçisht të Maliqit janë bërë pjesë e programit “Toka në Shkollë”, duke punuar për krijimin e një hapësire të gjelbër brenda mjediseve të shkollës.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale momente nga puna e fëmijëve në kopshtin e ngritur në shkollë, ku bashkë me mësuesen e biologjisë po përgatisin parcelën për mbjellje.
Në pamjet e ndara nga Rama, nxënësit shihen teksa angazhohen në përgatitjen e tokës dhe kujdesin për parcelën e shkollës, një hapësirë që synon të shndërrohet në një mini-kopsht të gjelbër për aktivitetet mësimore.
Programi “Toka në Shkollë” është një nismë e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit që po zbatohet në shkolla në mbarë vendin. Përmes këtij programi, nxënësit përfshihen në aktivitete praktike që lidhen me kultivimin e tokës dhe prodhimin bujqësor.
Nëpërmjet mikrofermave dhe miniserave të ngritura në mjediset e shkollave, programi synon t’i afrojë fëmijët me natyrën, të zhvillojë aftësitë praktike dhe të rrisë ndërgjegjësimin për mbrojtjen e mjedisit dhe ushqyerjen e shëndetshme.
Komente











