Pavarësisht punës intensive të bërë vitet e fundit për zgjidhjen e lëmshit të pronësisë mbi të patundshmet, problematika në këtë fushë është ende larg zgjidhjes. Këtë e ka pranuar vetë drejtori i ri i Agjencisë të Kadastrës Shtetërore, që ka përfshirë ALUIZNI-n dhe Hipotekën në një institucion. Zyra e Kadastrës është një institucion i ri, që u krijua me qëllim mbylljen e ciklit të procedurave të pronave në një institucion të vetëm. Pjesë e Kadastrës parashikohet të përfshihet në një moment tjetër edhe Agjencia e Trajtimit të Pronave.

Sipas Artan Lames, në një vit qeveria ka bërë shumë për përmirësimin e infrastrukturës administrative në ofrimin e shërbimeve për pronat ndaj qytetarit. Por janë një sërë procesesh për ndarjen e tokave bujqësore, legalizimin e pronave, regjistrimin e pronave vendore, etj që edhe pas tre dekadash ende nuk janë zgjidhur.

Lame foli në Forumin e Biznesit në Tiranë, me përfaqësues të Dhomës Amerikane të Tregtisë, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të shumë bankave të nivelit të dytë.

Legalizimet

Kreu i Kadastrës tha se janë kryer 170 mijë legalizime të reja, por ende në proces e sipër është një mori e madhe objektesh pa leje dhe pronash të zëna, që i nënshtrohen ligjit për legalizimet. Sipas tij, ende 60 mijë të tilla po përpunohen nga administrate në mënyrë që procesi të shkojë drejt mbylljes. Por kalimi i oborreve në përdorim të qytetarëve dhe procesi i regjistrimit të shtëpive të vjetra para vitit 1991 janë ende një objekt tjetër i punës.

Pronarët

Duke ju referuar të dhënave zyrtare, kreu i Agjencisë së Kadastrës tha se, nga 3.8 milionë pasuri të regjistruara në rang vendi, 2.5 milionë prej tyre duhet të riregjistrohen për shkak të mangësive në dokumentacion.

Kjo do të thotë që mbi 2/3 e pronave të regjistruara në Shqipëri rezultojnë me probleme. Ndërkohë, rreth 600 mijë prona të tjera janë të paregjistruara, pjesa dërrmuese pasuri shtetërore dhe gati i gjithë bregdeti i Jugut.

Gjithashtu Artan Lame shpjegoi se proces i pambyllur rezulton edhe kthimi i pronave tek pronarët, dhe procesi i privatizimit që është ngritur mbi një sistem të pakoordinuar dhe të gabuar. “Megjithëse këto procese kanë nisur që prej vitit 1991, sot disa sipërfaqe toke kanë disa pronarë. Procesi i ndarjes së tokës në fshat është akoma i pambyllur dhe këto procese duke vijuar në periudha afatgjata kanë sjellë probleme dhe kaos”, tha Lame. Sipas tij, janë 20 mijë familje në fshat që pretendojnë se nuk kanë marrë pronën e tyre dhe, nga 450 mijë familje që kanë marrë pronën e tyre, gjysma prej tyre nuk e kanë të regjistruar. “Ndaj duke i hedhur në hartë do të shohim se sa është numri i mbivendosjeve”.

Në zyrat e regjistrimit të pasurive gjatë një viti kryhen rreth 1 milion procedura, por në 50% te tyre qytetarët marrin përgjigje, por jo zgjidhje. Ky handikap vjen si pasojë e regjistrimit gabim të pasurive të paluajtshme në hipoteka, fakt ky i cili përkthehet në sorollatje të qytetarëve.

Problemet

Situata me pronat në Shqipëri është mjaft komplekse dhe problematike. Për gati 29 vite ku qytetarët nuk po gjejnë zgjidhje të qëndrueshme. Paralelisht po zhvillohen disa procese për hipotekimin e pasurive të paluajtshme, regjistrimi i tokave të kthyera nga Komisionet e Kthimit të Pronave, ato të dhëna me ligjin 7501, dhe procesi i legalizimit.

Lame theksoi se “në 10 vite janë marrë vetëm 131 vendime gjyqësore. Ndërsa procesi i transferimit të pronës tek pushteti vendor shënon nivele të ulëta dhe regjistrimi i pronës së shtetit është akoma në kaos”. Ai se problematika e pronave mbetet thembra e Akilit për ekonominë shqiptare.

Për këtë situatë kaotike, qeveria po negocion me dy donatorë: Bankën Botërore, por edhe me zyrën e Bashkimit Evropian për asistencë. Bashkimi Europian do të ofrojë një fond prej 15 milionë eurosh për vitin e ardhshëm, që do të përdoret për zbatimin e reformës për të drejtën e pronësisë. Ndërsa qeveria shqiptare ka kërkuar më shumë fonde nga Bashkimi Europian, duke qenë se procesi i anëtarësimit kërkon reforma të thella në disa sektorë, të cilët nuk mund të arrihen vetëm me financimet nga buxheti i shtetit.

Problemet e shumta që bart çështja e pronave në Shqipëri janë kthyer në shqetësim për biznesin dhe një pengesë reale për investime. Nga ana e saj, Dhoma Amerikane e Tregtisë e listoi dje zgjidhjen e çështjes së pronës si një prej pesë prioriteteve kryesore të punës së saj në Shqipëri.