Partia Demokratike thotë se projekt-buxheti i 2024 është i pamjaftueshëm për bujqësinë, duke e renditur vendin tonë të fundit për subvencionet ndaj fermerëve. Edhe më të papërfillshme për PD-në janë fondet që janë rezervuar për dëmet apo për investimet në kanalet ujitëse.
“Subvencionet ne bujqësi për vitin 2024 janë totalisht të pa mjaftueshme lidhur me nevojat që fermeri dhe bujku shqiptar ka. Janë rreth 31.7 milionë euro, njësoj siç ishte edhe vitin aktual buxhetor, duke e renditur Shqipërinë të fundit në rajon për sa i përket subvencioneve në këtë sektor shumë të rëndësishëm.
Shpesh herë këto fonde shkojnë të orientuara tek klientët e qeverisë ose për të menaxhuar flukset e votës. Për me tepër mbështetje aspak domethënëse ka ky buxhet për dëmet që ju shkaktohen fermerëve nga fatkeqësitë natyrore si reshjet e përmbytjet apo edhe mungesa e tyre të cilat dëmtojnë rëndë prodhimet bujqësore. Madje mund të përmendim këtu faktin se investimet ne sistemet e kanaleve ujitëse janë të pa përfillshme.”-tha deputeti i PD-së, Arbi Agalliu.