Ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme të qëndrueshme rritjeje gjatë viteve të ardhshme, ndërsa borxhi publik parashikohet të vijojë trajektoren rënëse. Në relacionin e projektbuxhetit 2027, qeveria parashikon një rritje ekonomike prej rreth 4% për vitin 2026, e cila pritet të ruhet edhe në periudhën afatmesme.
Sipas relacionit edhe për trevjeçarin e ardhshëm rritja do të jetë në të njëjtin nivel.
“Në periudhën afatmesme 2027-2029, rritja parashikohet të ruajë trajektore pozitive, me një normë mesatare prej rreth 4.0 përqind në vit, e mbështetur nga dinamika e kërkesës së brendshme, zhvillimi i mëtejshëm i sektorëve strategjikë dhe pritshmëritë për një rikuperim gradual të ekonomisë globale dhe veçanërisht atë të Bashkimit Evropian”, thuhet në relacion.
Paralelisht me rritjen ekonomike, projektbuxheti parashikon uljen graduale të borxhit publik bruto. Për vitin 2026, ai pritet të zbresë në rreth 52.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa në vitin 2027 parashikohet të arrijë në 52.4%.
“Në vitin 2026 parashikohet që borxhi publik bruto të ulet në rreth 52.5 përqind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 52.4 përqind në vitin 2027. Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 52.2 përqind deri në vitin 2029 dhe më tej në rreth 50.9 përqind në vitin 2031”, thuhet në relacion.
Lajmi kryesor:
Pr/buxheti 2027 mbi 10 mld euro! Shëndetësia ‘pjesën e luanit’, rritje pagash për policinë e 12 mln euro bursa për studentët. Mbi 2.2 mld euro investimet publike (VIDEO)









