Bashkimi Evropian prezantoi këtë të hënë projektin EU4FoodSafety, një nga nismat më të mëdha në fushën agroushqimore në Shqipëri, me financim 12.5 milionë euro. Duke prezantuar këtë projekt, kreu i delegacionit të BE-së në Tiranë Silvio Gonzato, solli edhe njëherë në vëmendje detyrimet që rrjedhin nga Kapitujt 11, 12 dhe 13 të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
“Legjislacioni duhet të harmonizohet me acquis-në e BE-së dhe të zbatohet në mënyrë efektive. Inspektimet duhet të jenë të forta dhe të besueshme. Laboratorët e akredituar duhet të ofrojnë rezultate të sakta dhe të besueshme. Mbi të gjitha, operatorët e biznesit ushqimor duhet të përmbushin standardet që priten në të gjithë Bashkimin Evropian. Ky është një proces sfidues për çdo vend kandidat. Pikërisht për këtë arsye Bashkimi Evropian ka angazhuar 12.5 milionë euro për Projektin EU4FoodSafety” tha Silvio Gonzato, Ambasador i BE-së.
Për përmbushjen e këtyre detyrimeve dhe përmbushjen e standardeve në fushën e sigurisë ushqimore, u zotua Ministri i Bujqësisë Andis Salla.
“Siguria ushqimore është e lidhur ngushtë me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, me besimin e konsumatorëve dhe me zhvillimin e sektorit agroushqimor. Përmirësimi i standardeve ndikon drejtpërdrejt edhe në aftësinë e prodhuesve shqiptarë për të konkurruar në tregjet europiane” tha Salla.
Përmes kësaj nisme do të mbështetet rritja e kapaciteteve laboratorike dhe forcimi i kontrolleve në sektorin ushqimore.
Sipas ministrit Shqipëria po ecën paralelisht me tre kapituj të negociatave, ndërsa synon të avancojë procesin e akreditimit. Një tjetër synim, tha ministri është edhe zhbllokimi i fondeve të programit IPARD III.
Projekti “EU4FoodSafety” mbështetet nga qeveria gjermane, e cila përmes projektit GIZ ka vënë në dispozicion një fond shtesë prej 1 milion eurosh.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale pamje nga lançimi i projektit EU4FoodSafety, një nismë e mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Gjermania që synon forcimin e sigurisë ushqimore në vend.
Sipas Ramës, projekti do të ndihmojë në modernizimin e sistemeve të kontrollit ushqimor, veterinar dhe fitosanitar, ndërsa do të mbështesë rritjen e kapaciteteve laboratorike dhe forcimin e kontrolleve zyrtare.
“Modernizojmë sistemet e kontrollit ushqimor, veterinar dhe fitosanitar në vend, në bashkëpunim me Bashkimin Europian dhe Gjermaninë Projekti do të mbështesë rritjen e kapaciteteve laboratorike, forcimin e kontrolleve zyrtare dhe përmbushjen e detyrimeve të Kapitujve 11, 12 dhe 13 të negociatave me Bashkimin Europian, duke afruar më tej standardet shqiptare me ato europiane në rrugën tonë të pandalshme drejt anëtarësimit në BE" shkruan Rama
Sipas tij, nisma pritet të sjellë më shumë siguri ushqimore, cilësi më të lartë të produkteve dhe më shumë besim për qytetarët, ndërsa mbështet edhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Komente








BE perseri vendos Shqiperine ne udhekeyqin e zgjedhjeve... Te zgjedhesh midis stilit Burger USA ose pizza & spaghetti made in EU. USA thote " It's not fair"! EU thote " Leave or Remain"... Post Scriptum: Ke do te zgjedhe Shqiperia ndermjet dy alternativave? Ate me pak te pashendetshme apo ate shume e pashendetshme( mqs te dyja jane te pashendetshme!!??)
Përgjigju