/ATSH /-Projekti filmik i metrazhit të gjatë 'Cirku fluturures' me skenar dhe regji të Fatos Berishës, me producente Vjosa Berisha nga kompania 'B2' mori mbështetje financiare për zhvillim projekti nga Qendra Kinematografike Kombëtare e Shqipërisë me vendim të Këshillit Miratues të Projekteve në mbledhjen e mbajtur më datën 12 nëntor 2014.
Kjo u bë e ditur sot në njoftimin e sapodërguar nga Qendra Kinematografike e Kosovës.
Ky projekt po ashtu do të prezentohet në workshopin EAVE on Demand, që mbahet nga 15 deri 18 nëntor në kuadër të festivalit Cinedays që mbahet në Shkup, organizuar nga EAVE (European Audio-Visual Enterpreneurs) dhe Agjencia e Filmit e Maqedonisë.
Projekti 'Cirku fluturues' është përzgjedhur nga shumë aplikues dhe do të jetë në mesin e 8 projekteve nga rajoni. Punëtoria katërditëshe do të udhëhiqet nga ekspertët evropianë të filmit: Jean Des Forêts, Jacques Akchoti, Didar Domehri dhe Hayet Benkara.
Projekti 'Cirku fluturues' është mbështetur edhe nga Qendra Kinematografike e Kosovës për zhvillim në konkursin për projekte filmike të këtij viti.