Një grup qytetarësh janë ngritur sërish në protestë për të kundërshtuar projektin e sheshit të Flamurit në Vlorë. Sipas qytetarëve projekti dëmton historinë, pasi sipas tyre sheshi i flamurit është identiteti ynë kombëtar.

Protestuesit bënë thirrje edhe për transparencë për fondet publike. Kjo është protesta e tretë që shoqëria civile zhvillon në Vlorë kundër projektit të sheshit të Flamurit,  por këtë të dielë numri i qytetareve ka qenë i pakët.

“Cenim i identitetit kombëtar, tani kemi shkatërrimin e sheshit. Kam ardhur si qytetar të protestoj se e ndjej që ky simbol i përbashkisë kombëtare që mblidhen shqiptarët nga katër anët dhe kremtojnë 28 nëntorin, duhet të mblidhemi të gjithë e të protestojmë, nëse nuk reagojmë sot e trashëgimie tonë kolektive humbet çfarë do të ndodhë me të nesërmen tonë, a do ndjehet më ky shesh pjesë e kujtesës sonë kolektive si komb?”, tha një protestues.

Kam ardhur se e ndjeva obligim që duhet të vija se sheshi i flamurit është identiteti jonë kombëtar. Numri i qytetarëve të Vlorës është i pakët sepse shumica janë ndarë të majtë e të djathtë, ndoshta edh ene do na etiketojnë si të PD-së. Por nuk kemi parti në Shqipëri janë një, ne nuk jemi për partinë këtu, jemi për flamurin”, u shpreh një tjetër protestues.

Është emblemë e tre brezave, emblemë e njohjes së qytetit të Vlorës. Përse duhet bërë një terminal këtu, për të rregulluar hotelin e për të ardhur turistë për t’iu zhvatur paratë. Po historia  e kombit, historia e qytetit, ku është? E kanë menduar ndonjëherë politikanët këtë gjë, apo shikojnë vetëm xhepat”, tha një protestuese.

Kryeministri Edi Rama u është përgjigjur më herët protestuesve duke thënë se Sheshi i Ri i Flamurit do t'i shtojë Vlorës  një tjetër pjesë të bukur të mozaikut të Rilindjes së saj Urbane që do të nxjerrë në pah edhe objektet e historisë në atë shesh.

Në sheshin e Flamurit në Vlorë kanë nisur punimet për të vënë në jetë projektin që pritet ta rikualifikojë zonën ndërsa një godinë 15-katëshe qe shteti ia ka marrë privatit, pritet të kthehet në qendër social-kulturore dhe jo në hotel, siç pretendojnë përfaqësues të “Foltores” së Sali Berishës. Ndërtesa i është marrë biznesmenit Sulo Shehi, të cilin shteti e ka dëmshpërblyer me 8 milionë dollarë.

Zhvillues i projektit është Fondi Shqiptar i Zhvillimit ndërsa financuese e projektit nga Xavier de Geyter, i njëjti arkitekt belg që ideoi Lungomaren, është qeveria. Vlera e kontratës për zbatimin e këtij projekti është 818 milionë lekë.