Projekti, “Club Med” u largua edhe pas premtimeve të Berishës

Sipas projektit të vitit 2004, firma franceze "Club Mediterane & Riviera sh.p.k" do të ngrinin fshatin turistik në Kakome, i konsideruar si një nga zhvillimet më të rëndësishme për infrastrukturën e turizmit në vendin tonë. Zv.presidenti i kompanisë franceze, Eduardo Silviero, kishte marrë edhe lejen ne 2006 nga kreu i qeverisë, Sali Berisha, në një takim kokë më kokë, të zhvilluar në selinë e Kryeministrisë në Tiranë.

Vendimit të Kryeministrit për zhbllokimin e investimit të nisur që në 2004 i kishte paraprirë një deklaratë e ministrit të Turizmit, Bujar Leskaj, në të cilën "Club Med & Riviera Sh.p.k" ishin ftuar të vazhdojnë investimin. "Mendoj, se kompania franceze Club Med është e lirë të vazhdojë investimin në gjirin e Kakomesë, investim që unë personalisht e vlerësoj shumë të mirë", ka theksuar në atë kohë Leskaj. Kjo kishte ndodhur pas kapërcimit të konfliktit për pronësinë e tokës, zgjidhje që u dha nga një vendim i Komisionit Vendor të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave të Qarkut Vlorë, i marrë më 18 korrik 2006, i cili nuk u njohu pronësinë mbi tokën banorëve të fshatit Nivicë. Rreth 70 ha tokë në zonën e Kakomesë iu dha firmës "Club Mediterane & Riviera", ndërkohë që, sipërfaqja e ndërtimit do të ishte 32,3 ha. Kompania "Club Mediterane" ishte shprehur se do të investonte 75 milionë euro për një resort luksi në Kakome, shumë që do të financohej nga IFC-ja dhe banka të tjera prestigjioze. Sipas kompanisë, ishte parashikuar që ky investim të përfundonte në vitin 2007.

"Club Mediterrane" është një kompani franceze, që operon në industrinë e turizmit dhe është prezent në shumë nga destinacionet ekzotike të botës. Club Med, ka ndërtuar 90 fshatra turistike luksoze dhe aktualisht operon në SHBA, Meksikë, Karaibe, Amerikën e Jugut, Evropë, Azi dhe në Australi. Por më pas kjo kompani do të largohej përfundimisht duke e lënë investimin të pakryer.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ku po i kaloni pushimet e verës?



×

Lajmi i fundit

'Ura e dëmtuar e Rilindjes', Berisha del bllof sërish me postimin e Qytetarit Dixhital! Publikon pamje që nuk ndodhen fare në Shqipëri