Banorët e prekur nga projekti TID janë mbledhur sërish këtë të mërkurë përpara bashkisë së Durrësit, duke kërkuar transparencë mbi projektin.  Ndryshe nga një ditë më parë, këtë herë një përfaqësi e banorëve u takua me drejtoreshën ligjore, Alneida Rroshi.

Pas takimit, përfaqësuesja e banorëve, arkitektja Entela Koja, tha se nga bashkia janë informuar se po rishikohen nga e para të gjitha objektet dhe po verifikohet statusi i tyre ligjor, përpara se të dale VKM-ja per shpronësimet.

“Kryesorja është që Ministria e Kulturës të sjellë një grup pune për të evidentuar të gjitha pronat. Ne nuk jemi për prishje e shpronësim aty ku nuk ka nevojë të prishet gjë”, tha Entela Koja.

Janë 20 familje pranë zonës së amfiteatrit qe kundërshtojnë ndërhyrjet, duke  argumentuar se nuk ka pasur verifikim të plotë në fazën fillestare të projektit.

Ata shprehen gjithashtu se kanë paqartësi mbi ndryshimet ne projekt dhe kërkojnë që procesi të shoqërohet me informacion të shkruar dhe afate konkrete.

“Ne kërkojmë te informohemi me shkrim për të gjitha procedurat. Nuk e pranojnë faktin që janë ndryshuar destinacionet komuniteteve fetare megjithëse ne kemi prononcime te tyre që e pranojnë”, tha Koja.

TID-i parashikon transformimin e qendrës historike të qytetit, përfshirë zonën e amfiteatrit dhe bulevardin “Epidamn”. Projekti ka ngjallur kundërshtime të forta, pasi do prishen dhjetëra banesa e bizneseve. Rreth 74 familje preken nga procesi i shpronësimit, ndërsa fondi i kompensimit është rreth 315 milionë lekë.