Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka folur ditën e sotme në Parlament për projektin TID në Durrës.
Projekti TID ka të bëjë me rijetëzimin e Qendrës Historike të Durrësit dhe është një ndërmarrje e shumëdebatuar që synon shembjen e 74 objekteve dhe restaurimin e disa të tjera me vlera historike e kulturore.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Gonxhja teksa hodhi poshtë akuzat e opozitës, tha se procesi për këtë projekt ka qenë i kujdesshëm, pa pasur asnjë nxitim në procedurat ligjore dhe për dëgjesat publike.
Po ashtu Gonxhja tha se ka pasur edhe një vlerësim të aspektit historik, teksa për amfiteatrin e Durrësit shtoi se qeveria do të bëjë një aplikim për në UNESCO.
Ai tha gjithashtu se një grup pune është ngritur një grup pune për të vlerësuar të gjitha kërkesat e banorëve, lidhur me shpronësimet që do të bëhen për këtë projekt.
“Projekti TID në Durrës, akuzat për të na treguar dhe anatemuar deri në shkallën e një pandjeshmërie ndaj njerëzve, nuk qëndrojnë, janë bërë të gjitha hapat sa i takon dëgjesave. Procesi ka qenë i kujdesshëm, nuk ka pasur asnjë nxitim për procedurat ligjore, për dëgjesa dhe projektimin.
Ka pasur një vlerësim të aspektit historik. Është vlerësuar interesi i vendit, pasi nuk lidhet vetëm me Durrësin, por me gjithë Shqipërinë dhe lidhet me një prej atyre qendrave që ne shumë shpejt mendojmë ta kemi edhe në listën UNESCO, pas një dosje të plotë që ne do të duam ta kemi për një aplikim të ri dhe shumë domethënës për këtë amfiteatër, por edhe për zonën përreth tij.
Është krijuar një grup i ri pune për të bërë një vlerësim të ri të të gjitha kërkesave të banorëve, në mënyrë që të përditësohen vendimet e marra që mund të jenë për shpronësimet, siç mund të jenë referencat që automatikisht ndikojnë në shpronësime. Një grup ndërinstitucional po punon për këtë çështje”, tha mes të tjerash Gonxhja.
Nga ana tjetër, Zhupa tha në Kuvend se ky projekt do të prishë identitetin e Durrësit. Kjo pasi sipas Zhupës, banesat që do të prishen, janë banesa të vjetra, mbi të cilat nuk është vënë dorë pa lejen e qeverisë.
Zhupa shtoi gjithashtu se qeveria nuk është konsultuar me banorët për këtë projekt, por i ka detyruar ata që të pranojnë kushtet e shpronësimit.
“Ju keni konsultuar veten, keni shkuar tek banorët për t’ju thënë pranoni kushtet e shpronësimit, ndërkohë që aty bëhet fjalë për identitetin e banorëve, për shtëpi të cilave nuk u është vënë një gozhdë, pa lejen e qeverisë, sot do të shemben. Më shpjegoni si nuk paskan vlera, është identiteti i Durrësit. Kur prishen banesa konsultohen direkt ata që preken nga procesi, dhe nuk ka ndodhur që të mos e bëjë bashkia planin vendor, por të jetë një organizatë apo OJF. Do ju lutesha në emër të banorëve, ta rishikoni projektin, që të shërbejë për turizmin, banorëve dhe interesit publik”, tha Zhupa.
Më tej Gonxhja tha se dëgjesat me banorët e zonës janë bërë dhe sipas tij, çdo kërkesë për ta rrëzuar projektin në gjykatë, ka dështuar.
Sipas ministrit, në atë zonë janë ndërtuar edhe objekte pa leje dhe janë bërë shtesa të ndryshme që nuk figurojnë të regjistruara askund.
“Dëgjesat janë bërë, çdo kërkesë për të na rrëzuar në gjykatë është rrëzuar nga gjykatësi, është 35 raste deri më tani. Në atë zonë janë bërë objekte pa leje, janë shtuar kate, ka ndërhyrje të ndryshme, që nuk janë bërë me leje, dhe nuk figurojnë të regjistruara askund”, shtoi Gonxhja.
Komente











