Kryetarja e Komisionit të Kulturës, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, diskutimet për projektbuxhetin e vitit 2027, që sot nisi diskutimin parlamentar nen për nën dhe në tërësi, e nisi duke iu rikthyer seancës maratonë të së mërkurës, ku projektbuxheti u miratua në parim vetëm me votat e mazhorancës.

Deputetja e opozitës e pagëzoi me emrin buxheti “Ali Baba”, referuar përrallës arabe “Ali Baba me dyzet hajdutë” 

"Unë e kam pagëzuar me emrin “Buxheti Ali Baba” sepse qëllimi i vetëm aty është vjedhja. Por në ndryshim nga Ali Baba që kishte vetëm 40 hajdutë, Rama e ka 10 fishuar dhe 100 fishuar dhe ka kudo nëpër Shqipëri hajdutë që mundohen të vjedhin paranë publike" tha Zhupa. 

Në përgjigje, deputetë të mazhorancës, veçanërisht socialisti Erjon Malaj, tha se PD-ja në vitet e saj në pushtet ka krijuar personazhe reale, dhe jo përrallash, duke i kujtuar skemat piramidale që u toleruan nga qeveria e drejtuar nga Partia Demokratike, me president Sali Berishën.

"Është shumë domethënës krahasimi që ju i bëni buxhetit kur ne flasim për 10 miliardë euro me Ali Babën, sepse Ali Baba i fshihte në shpellë paratë. Unë e kuptoj që ju s'keni dalë akoma nga koncepti i shpellës kur flitet për buxhet, por Ali Baba është koncept përrallor. Ndërkohë po ju them unë ca personazhe reale që ishin edhe mjeshtrit e financave tuaja gjatë qeverisjes tuaj që nga Sudja, që nga Xhaferi, Kamberi, e Vefa e mos të vazhdojmë me radhë, tërë ekspertët financiarë që ju i nxorët në dritë gjatë qeverisjes tuaj që e çuan këtë vend në kolaps. Ali Baba është përrallë, ndërsa ky buxhet është real dhe qytetarët do ta ndjejnë këtë buxhet në xhepin e tyre, se është buxheti më social ndonjëherë. Po s'keni si ta dini ju se sepse që të bëhet ky buxhet kaq social, u desh rritje ekonomike ndër vite, gjë që ju s'e keni pasur kurrë gjatë qeverisjes tuaj. Prandaj nuk kishit si bënit një buxhet social ju. Tani që po e bëjmë ne ju bën çudi dhe filloni dhe përmendni përralla dhe histori librash. Dhe shqiptarët do ta kuptojnë nga 1 janari që nuk janë përralla dhe ju do mbeteni në botën e përrallave si “Liza në botën e çudirave” kur të shikoni se çfarë shuplake tjetër do ju japin në zgjedhjet e tjera, sepse vazhdoni t'i qëndroni këtyre koncepteve edhe pse nuk keni lënë zgjedhje pa marrë shuplak nga qytetarët, vazhdoni t'i thoni atyre që shiko se kjo nuk është kështu, ndërkohë që ata i kanë sytë në ballë dhe ju i merrni për budallenj. Ali Baba i kohës tuaj merrte dhe s'dinte se ku i çonte. Buxhetin e Ali Babës e keni pas bërë ju me Suden, me shoqe e me shokë" tha Malaj. 

"Nëse Ali Baba i fshinte paratë në shpellë siç thonë ju sipas Spakut ju i fshini në kuti të kuqe, i fshini në dhoma në Peqin i fshini nëpër shtëpi pastrueseesh që gjenden 800.000€ e nëpër vila e nëpër sunduqe dhe këto janë prova të SPAK, jo të mia edhe me foto" u përgjigj Zhupa.