Projekti i Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, në kuadër të Transformimit të Integruar të Durrësit, TID ka shkaktuar pakënaqësi të banorët e zonës. 74 familje, që preken drejtpërdrejt nga ky projekt, kanë protestuar para zyrave të AADF-së në Tiranë, duke kërkuar anulimin e tij.
Banorët thonë se projekti është miratuar pa asnjë konsultim publik dhe pa marrë mendimin e tyre, ndonëse preken në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ata kërkojnë dëmshpërblim të drejtë dhe në përputhje me çmimet e tregut.
Një banor theksoi se fondi i parashikuar për shpronësimin e 74 familjeve është 3.1 milionë dollar. Një tjetër qytetar shtoi se vlera e shpronësimit është qesharake.
“Ne jemi këtu përpara ADF-së për t'i treguar e, për t'i kujtuar që ti nuk lan dot duart nga ky projekt, sepse je pjesë e financimit, je pjesë e termave të referencës, je pjesë e pranimit të projektit. Ti nuk duhet ta kishe kaluar këtë projekt me probleme. Ti ke një plan menaxhimi sipas një ligji të përcaktuar 169 të trashëgimisë kulturore 20/2/20, ku të gjithë këta njerëz duhet t'i kishe pyetur me firmë. Ti ke bërë projekte në shtëpiat tona pa dijeninë tonë. Ti duke çuar për prishje dhe në pavlefshmëri dhe në papërshtatshmëri të gjitha objektet të cilat po t'i shikosh një nga një kanë gjurmë të vërteta të trashëgimisë kulturore', tha banori.
“Për t'u shpronësuar 74 familje janë 3 milion 100 dollarë. Për të lyer fasadat. Për të lyer fasadat është një projekt prej 6 milion e 700 dollarë. për të nxjerrë të gjithë këto qytetarë, japin 3 milionë dollarë', tha një tjetër.
“Mund të blesh domethënë me llogari që kam bërë unë, lë gjithë pronën për 10 m katror në ndërtim që mund të blej një apartament të ri, në një pallat të ri. 10 m katror në ndërtim-një tualet, një banjo- aq është vlera e shpronësimit', tha banori.
“Shtëpia ime prishet për një lulishte edhe dy stola. Janë bërë dhe selektive te pjesa ku jam unë, fare mirë mund të hapi murin dhe ta bëj lulishte. Pse duhet të më prishin mua për t'i hapur dikujt që ka një dykatëshe të vjetër, të rrënuar. Domethënë pjesa e qeverisë rregullohet, shpërblehet, , restaurohet. Dursakët të drejtë edhe gjithë jetën në Durrës dalin të pastre me një shumë qesharake që nuk ble dot një aneks. Nuk po them fjalë tjetër, po edhe gazoniere nuk e ble dot', tha banori.
Më 8 tetor banorët depozituan padi në SPAK ndaj ministrit të Kulturës Blendi Gonxhja, ish-ministres së Kulturës Elva Margariti, kryebashkiakes së qytetit bregdetar Emiriana Sako dhe dy përfaqësuesve të Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim si dhe 3 studiot e projektimit që kanë hartuar dhe miratuar këtë projekt.
Komente










