Botuesit shqiptarë kërkojnë një ligj modern për librin, që t’i përgjigjet realitetit të sotëm dhe standardeve evropiane. Një realitet që ndër të tjera ka bërë pjesë të teknologjisë edhe librin, përmes formave digjitale. Por të tjerë edhe i druhen këtij ndryshimi.
Sipas Shoqatës së Botuesve, projektligji synon modernizimin e kuadrit ligjor, por mbart ende paqartësi serioze, sidomos në çështjet e fiskalitetit, rolit të institucioneve dhe mbrojtjes së të drejtave të autorit.
Një nga pikat më të kundërshtuara mbetet TVSH-ja 6% mbi librin, e cila, sipas botuesve, reflektohet drejtpërdrejt në çmim dhe ul ndjeshëm leximin. Në komision janë kërkuar lehtësira fiskale dhe mbështetje direkte nga shteti.
“Asnjë qeveri shqiptare nuk e ka pasur prioritet librin shqip. Bibliotekat janë të rrënuara, libraritë po zhduken dhe TVSH-ja mbi librin e ka goditur rëndë tregun. Duam TVSH zero për librin, jo në çdo hallkë. Librari nuk merr faturën.”, tha botuesi Bujar Hudhri.
“Tek ne librat shiten shumë mirë në raport me tirazhet tona, kemi tirazhe të vogla, kosto të larta. Një nga këto arsye është TVSH. Nëse shteti e heq TVSH-në do ishte fitore e madhe, jo thjesht ajo në shitje, që ka qenë 20 e u bë në 6.”, tha botuesi Petrit Ymeri, njëherësh kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë.
Situata e librit shqip u cilësua dramatike nga shkrimtari dhe botuesi Bujar Hudhri, i cili akuzoi shtetin për mungesë vëmendjeje ndër vite. Ndërkohë, shkrimtarë dhe botues të tjerë theksuan nevojën për politika aktive që nxisin leximin, sidomos tek të rinjtë.
“Ne kemi lexues, por nuk kemi lexues të rinj. Duhet më shumë prani e librit në shkolla dhe më pak barriera burokratike.”, tha botuesja Elda Vela.
“Nuk di a është përcaktuar te ligji në lidhje me fondet e bibliotekave të rretheve dhe ato të bashkive, këto fonde nuk duhet të tjetërsohen. Nuk kemi parë kurrë asnjë cent nga asnjë bashki. Projektet janë të rëndësishme. Festival letrare, etj. por projekte reale e jo vetëm në letër.”, vërejti botuesja Arlinda Dudaj.
Debate pati edhe për statusin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
“QKLL nuk duhet trajtuar si një shtesë vartëse e ministrisë. Duhet të jetë një institucion autonom, me buxhet dhe kompetenca të qarta për promovimin e librit dhe leximit.”, tha Petrit Ymeri.
Nga ana tjetër, Ministria e Kulturës mbron projektligjin, duke deklaruar se për herë të parë QKLL përfshihet drejtpërdrejt në ligj dhe se buxheti i saj do të dyfishohet në vitin 2026. Mungesa e një Drejtorie për Librin dhe Bibliotekat, një strukturë ekzekutive në Ministrinë e Kulturës, që nuk ekziston prej mbi 12 vitesh, debate mbi numrin e kopjeve të librave që dorëzohen në Bibliotekë dhe rreziku i trajtimit të pabarabartë të botuesve ishin po ashtu ndër çështje që u diskutuan, ndërsa u vërejt edhe se Këshilli Kombëtar i Librit dhe Leximit ka mungesë funksionimi real dhe nuk është mbledhur prej vitesh.
Komente












