Libri i ri i shkrimtarit Pashko Camaj vjen si një libër që risjell tragjeditë që përjetonin shqiptarët që linin vendin duke iu arratisur komunizmit, me kokën mbrapa, për fatin e atyre që linin pas. Sot, 40 vjet pas largimit të tij drejt SHBA-ve, Pashko Camaj rikthehet te e shkuara përmes ‘brengës’. Libri i tij i ri  rrëfen historinë e një dhimbjeje, që nuk shuhet me largimin, por që udhëton bashkë me njeriun kudo ku ai shkon, një rrëfim që gjen pasqyrim edhe në realitetin e emigrimit sot.

“Ne që jemi larguar këtë brengë e mbajmë me vete. Jetojmë ëndrrën amerikane, por fajësimi ndaj së shkuarës mbetet. Mundohemi të lë shenja për ata që vijnë pas nesh, se kush jemi dhe nga vijmë.”, thotë autori për “Report TV”.

Brenga” vjen si një lloj vazhdimësie e librit të Camajt të botuar një vit më parë dhe rrëfen historinë e dy personazheve dhe jetët e tyre. I pari Tonin Mirakaj është real i cili u larguya nga sistemi komunist në fund të viteve ’50-të, ndërsa personazhi tjetër, Marku paguan çmimin e lirisë së mikut të tij, ndërsa burgoset në Spaç.

“Jam i sigurt që ka ndikuar shumë aktiviteti i autorit, si sekretar i përgjithshm i organizatës ‘Vatra’ në Amerikë, ku mbledh gjithë shqiptarët atje. Jam i sigurt që të gjithë kanë lënë një shenjë në ndërgjegjen e tij, sepse një libër i tillë flet pikërisht për ndërgjegjen, peshën e ndërgjegjes, për moralin dhe brengën, siç e ka titullin libri. Version në anglisht i këtij libri është ‘Kur shqiponjat qajnë’.”, thotë botuesi Bujar Hudhri.

Botuar nga “Onufri”, libri është promovuar këtë të mërkurë në Akademinë e Shkencave. Gjatë aktivitetit, studiues, kritikë letrarë dhe personalitete të kulturës mbajtën referime mbi veprën dhe krijimtarinë e Pashko Camajt, duke u ndalur në aspektet tematike, stilistike dhe vlerat që kjo vepër i sjell diskursit letrar bashkëkohor.