Biznesi i vogël, i mesëm, strat-up, sipërmarrjet e prodhimit, të eksportit apo projektet me rëndësi për zhvillimin ekonomik e deri tek zhvillimi i infrastrukturës jo vetëm fizike por edhe asaj digjitale, të gjithë këto fusha do të mbështeten financiarisht nga Banka Shqiptare e Zhvillimit.
Pas njoftimit më 24 janar nga kryeministri Edi Rama për këtë vendim, në Konsultim Publik është hedhur projektligji për krijimin e Bankës së Zhvillimit, që siç qeveria thotë do të ngrihet për shkak të dështimit të tregut aktualisht për të financuar këto sipërmarrje, që mund të pasohet me dëmtim të ekonomisë së vendit.
“Arsyetimi kryesor ekonomik për ekzistencën e një institucioni të tillë bazohet në faktin se operimi nën potencial apo dështimet e tregut (market failures) mund të çojnë në mungesë financimi dhe investimesh që, si rezultat, sjellin një rritje më të ngadaltë sesa ajo që do të ishte ekonomikisht e dobishme apo e synuar”, thuhet në relacionin e projektligjit.
Duke financuar të gjitha këto biznese që qeveria thotë se janë të nënshërbyera nga bankat, do të rritet prodhimi vendas, do shtohet produktiviteti, rritet konkurreshmëria si dhe prezenca e produktit vendas në tregun e huaj.
“Përmes financimit, këto biznese kanë mundësinë të përmirësojnë produktivitetin e tyre dhe të konkurrojnë në tregjet ndërkombëtare”, thuhet në relacion.
Banka Shqiptare e Zhvillimit do të jetë shoqëria aksionere, ku 51% e aksioneve do të zotërohen nga shteti, dhe ajo do të japë kredi (me kushte dhe interesa të favorshme), do të ofrojë garanci si dhe investon në letra me vlerë të borxhit dhe kapitalit, duke ndihmuar në realizimin e projekteve me rëndësi të veçantë për ekonominë.
Kapitali fillestar i bankës do të jetë 100 milionë euro të vëna nga shteti, dhe vetë Banka do të mund të pranojë fonde nga bankat tregtare vendase të huaja, mund të menaxhojë linjat e kredive të institucioneve ndërkombëtare si dhe do të mbledhë paratë e qytetarëve që duan të ruajnë kursimet e tyre, 100% të garantuara nga shteti.
“BZH mbledh fonde përmes mekanizmave të ndryshëm për të mbështetur objektivat e saj, duke përfshirë, por pa u kufizuar në: Pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku në bashkëpunim me Postën Shqiptare Sh.a. ose entitetet e lidhura me të. Instrumente të tjera financiare dhe burime të tjera financimi. Produktet dhe procedurat për pranimin e fondeve të kthyeshme nga publiku, si dhe korniza për bashkëpunimin me Postën Shqiptare Sh.a. ose entitetet e saj të lidhura, përcaktohen me urdhër të ministrisë përgjegjëse të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Fondet e kthyeshme të mbledhura nga publiku do të garantohen nga Shteti Shqiptar”, thuhet në nenin 7 të projektligjit.
Projektligji është hartuar në bashkëpunim me Cassa Depositi e Prestiti të Italisë, që do ofrojë mbështetje teknike edhe për ngritjen e Bankës së Zhvillimit, pasi ka ekspertizë në këtë fushë dhe si një institucion financiar që ka luajtur rol të rëndësishëm në zhvillimin e ekonomisë italiane
(Kliko këu për të lexuar relacionin e plotë)
Dmth pasi te zhvasin prone publike per llogari te tyre, te parase publike permes tenderimit e koncesionit serish ne xhep te tyre, me formen e te re zhvatja nis me 100 mil euro qe i ka planizuar boti per para xhepi!!!
Përgjigju