Me mijëra qytetar vijojnë të punojnë pavarësisht se kanë dalë në pension, dhe megjithatë paguajnë kontributet si të gjithë të punësuarit e tjerë. Deputeti i PD-së Igli Cara propozon ndryshime në ligjin e sigurimeve shoqërore me synim përjashtimin e kësaj kategorie nga detyrimi për të paguar sigurimet, përsa kohë kanë kontribuar një herë për pensionin e tyre.
“A është apo jo e drejtë, që një pensionist pasi ka kontribuar 39 vite, të vazhdojë e të kontribuojë në skemë, po ai mund të ndërrojë jetë pas 10 vitesh, po a është kjo e drejtë? Por kjo s’ka sens logjik, po flasim për një fashë që vazhdon të punojë se ka nevojë për shkak të pensionit të ulët. Për 18 milionë euro flasim, e di që është shumë por duhet të kuptojmë se për cilën kategori po flasim”, shprehet Igli Cara deputet i PD-së.
Projektligji synon që përjashtimi të jetë i përkohshëm me afat 4-vjeçar, dhe tashmë po shqyrtohet në komisionet parlamentare, por nuk gjen mbështetjen e qeverisë.
“Kjo do të ulte të ardhurat e skemës. Fillimisht cenohet parimi kontributiv i skemës, duke thelluar më tej deficitin dhe krijon trajtim të diferencuar”, thotë Olta Manjani zëvendësministre e Ekonomisë.
Zëvendësministrja e Ekonomisë Olta Manjani shpjegon se qeveria po diskuton në kuadër edhe të skemës së re të pensioneve, kthimin e këtyre kontributeve si bonus ose duke rritur pensionin mujor të pensionistit që punon.
“Alternativat që po shqyrtojmë në kuadër të skemës së pensioneve e cila ende nuk është finalizuar, po shikohet një qasje që kontributet e paguara nga pensionistët pas arritjes së moshës së pensionit, të njihen dhe reflektohen siç është bërë me të vetëpunësuarit. Pra ose ju bëjmë një rillogaritje të pensionit që ajo që kanë kontribuar në skemë do ju reflektohet në masë pensioni, ose dhënien e një bonusi për çdo vit sigurimi, shtesë. Kjo alternativ përveçse ruan parimin kontributiv të skemës krijon edhe stimujt e nevojshëm për vijimin e punësimit të pensionistëve”, thotë Manjani.
Referuar relacionit të kësaj nisme ligjore janë rreth 13 mijë pensionistë që punojnë dhe që vijojnë të paguajnë kontribute. Përjashtimi i kësaj kategorie argumentohet në relacion do të rriste pensionistët aktiv në tregun formal të punës, do rregullonte barrën e dyfishtë ndaj tyre si dhe do të rriste të ardhurat e tyre.
Komente









