Kongresi amerikan ka ndërmarrë një nismë të paprecedentë: një projektligj i posaçëm kërkon nga Departamenti i Shtetit të raportojë zyrtarisht për trajtimin e shqiptarëve etnikë në Luginën e Preshevës, një nga çështjet më të neglizhuara të rajonit.

Projektligji “Preshevo Valley Discrimination Assessment Bill”, i paraqitur dhe tashmë i avancuar në Kongresin e SHBA-së, kërkon një hetim të detajuar mbi politikat diskriminuese të Serbisë ndaj shqiptarëve në jug të vendit, nga pasivizimi i adresave dhe pengesat për dokumente, deri te shtypja e gjuhës shqipe, diskriminimi në arsim dhe përjashtimi nga institucionet shtetërore.

Shqipëria e mbështet fuqishëm këtë nismë. Të enjten, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë e cilësoi atë si një hap domethënës që sjell në vëmendjen ndërkombëtare realitetin e ashpër që përjeton komuniteti shqiptar në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

Në një deklaratë për shtyp, Ministria shqiptare e konsideron këtë nismë si një hap domethënës në ndërkombëtarizimin e problematikave serioze që prekin shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ajo thekson se projektligji përfaqëson një njohje të qartë institucionale të sfidave me të cilat përballen këto komunitete, përfshirë shtypjen e simboleve kulturore dhe kërcënimet ndaj qëndrueshmërisë së jetës së tyre në rajon.

Në deklaratë, Ministria shpreh mirënjohjen për angazhimin e Shteteve të Bashkuara duke e cilësuar këtë zhvillim një sinjal të fuqishëm në mbështetje të të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe një kontribut të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria, sipas autoriteteve, është duke ndjekur nga afër situatën e të drejtave të njeriut në këtë zonë dhe është gati të bashkëpunojë me partnerët ndërkombëtarë në adresimin e sfidave që prekin komunitetin shqiptar në Serbi.

Nisma vjen si rezultat i një partneriteti të ngushtë mes organizatës shqiptaro-amerikane AFA dhe kongresistit republikan Keith Self, i cili ka marrë rolin e mbështetësit kryesor në Capitol Hill. Përmes këtij angazhimi shqetësimet e shqiptarëve të Luginës së Preshevës kanë arritur të marrin për herë të parë vëmendje në një nivel kaq të lartë të politikës amerikane.