Projektligji/ Toka shtetërore mund të privatizohet edhe pa garë

Projektligji/ Toka shtetërore mund të privatizohet edhe pa garë

Një ndryshim në një akt ligjor, të miratuar në periudhën e qeverisë Berisha 1, mund t’u japë të drejtën subjekteve dhe personave privatë që të bëhen pronarë të tokave shtetërore edhe pa hyrë në tender apo ankand. Nisma ligjore ndryshon Aktin Normativ me fuqinë e ligjit, të miratuar në vitin 2008 për privatizimet, duke parashikuar një shtesë të rëndësishme proceduriale.

Synimi i kësaj shtese është zgjerimi i konceptit të privatizimit të parashikuar në aktin normativ, që krahas formës së privatizimit me mënyrën e tenderit, apo edhe të ankandit, parashikon edhe formën e privatizimit me metodën e “tjetërsimit”, pra duke ia kaluar direkt një investitori të interesuar pronën shtetërore, në përputhje me kritere që i përcakton sipas rastit të caktuar Këshilli i Ministrave.

Tjetërsimi do të bëhej nëpërmjet kontratave të tjetërsimit ku pronësia mbi pasurinë kalon në çastin e lidhjes se kontratës së tjetërsimit të kësaj pasurie dhe blerësi apo përfituesi i kësaj pasurie bëhet pronar i ligjshëm i saj që në momentin e nënshkrimit të kontratës, duke fituar të gjitha të drejtat dhe detyrimet që lidhen me qenien e tij si pronar mbi këtë pasuri.

Ligji

Akti Normativ Nr.4, datë 9.7.2008 “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, parashikon përcaktimin e organeve dhe kompetencave, që ato kanë, për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve. Me privatizim, sipas këtij Akti me fuqinë e ligjit, kuptohet procesi i transferimit të së drejtës së pronësisë shtetërore te personi juridik ose fizik, privat.

Akti përcakton se “kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, si: shitjes me ankand, tenderit, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Kriteret për vlerësimin e pronës shtetërore, që privatizohet, si dhe procedurat e format e privatizimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave”.

Ndryshimi

Projektligji që ka përgatitur qeveria Rama dhe ka mbërritur tani në Kuvend e ndryshon formulën e mësipërme të privatizimit si vijon: “Kalimi i pronës shtetërore në pronë private bëhet nëpërmjet formave të ndryshme të privatizimit, si: shitjes me ankand, tenderit, ose tjetërsimit”. Në këtë mënyrë, i hapet rruga kalimit të pronësisë mbi tokën shtetërore edhe direkt, pa hapur një garë publike, për çka duhet të vendosë qeveria.

Synimi

Sipas relacionit përkatës të qeverisë, kjo nismë ndërmerret për të kapërcyer problematika që ndeshen aktualisht me disa sipërfaqe toke shtetërore, të cilat preken nga planet e përgjithshme vendore. “Konkretisht, në mjaft raste ekzistojnë sipërfaqe të ndryshme toke pronë private, të cilat janë të përfshira në planet e miratuara të zhvillimit urban nga ana e njësive të vetëqeverisjes vendore. Por këto sipërfaqe toke private rrethojnë, prekin ose janë menjëherë në kufi me copëza/sipërfaqe relativisht të vogla toke në pronësi të qeverisjes qendrore ose të njësive të vetëqeverisjes vendore. Në praktikë këto rrethana sjellin probleme për investitorët që përkthehen me pengesa në kryerjen e disa investimeve të rëndësishme në vend, si dhe sjellin si rezultat moszbatimin e planeve vendore të miratuara. Kjo, sepse investimet private pengohen nëse investimi nuk do të përfshinte edhe këto sipërfaqe të vogla shtetërore, një pjesë e mirë e të cilave prej kohësh rezulton të ketë humbur edhe funksionet për të cilat janë përdorur dikur”.

Më tej, shpjegohet se, në rastin konkret, planet e përgjithshme vendore që kanë miratuar zhvillimin e zonave të caktuara nuk po zbatohen, pikërisht sepse në disa raste plani përfshin copëza toke shtetërore, regjimi juridik i të cilave nuk njihet me siguri. Në shumicën e këtyre rasteve, toka shtetërore nuk tejkalon 20% të sipërfaqes totale në raport me tokën private që e rrethon apo e kufizon atë. Por, megjithëse toka shtetërore zë një sipërfaqe relativisht të vogël dhe ndonjëherë gati-gati të papërfillshme në raport me investimin, mungesa e qartësisë në kuadrin ligjor aktual në lidhje me këto copëza toke po shkakton pengesa të mëdha për investimet private dhe për vënien në zbatim të planeve të përgjithshme vendore.

Prandaj, një nga përparësitë e kësaj nisme është parashikimi i mundësisë ligjore që këto sipërfaqe toke shtetërore të mund t’u tjetërsohen të tretëve, në funksion të zbatimit të planeve të përgjithshme vendore dhe me qëllimi realizimin e investimeve të rëndësishme për vendin. Në projektligj është parashikuar që t’i delegojë Këshillit të Ministrave kompetencën e përcaktimit të kushteve dhe kritereve që do të duhet të plotësojnë kërkuesit, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore si dhe të organeve që do të përfshihen në këtë proces.

Kompetencat

Projektligji parashikon që t’i delegojë Këshillit të Ministrave kompetencën e përcaktimit të kushteve dhe kritereve që do të duhet të plotësojnë kërkuesit, mënyrën e vlerësimit të pronës shtetërore

Amendimi

Ndryshimi bëhet në Aktin Normativ “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Uaa: 20/04/2019 09:00

    Pse paska prap tok te pa zanun????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim