...
Kallëzimi penal i KLSH-së ndaj ministrit të Energjetikës Damian Gjiknuri dhe Avokatit të Shtetit Alma Hicka nga kjo e premte ka kaluar për kompetencë në Prokurorinë e Tiranës. Ky fakt bëhet i ditur nga Prokuroria e Përgjithshme e cila për 3 ditë verifikoi nëpërmjet prokurorit Arben Kraja kallëzimin e depozituar nga KLSH për ministrin e Energjetikës.
Kalimi i dosjes hetimore, sqaron Prokuroria e Përgjithshme, bëhet për faktin se aktualisht në akuzën e kryeqytetit po hetohen dhe të tjera çështje që lidhen me dosjen CEZ.
Transferimi i dosjes është vendosur nga drejtuesi i njësisë anti-korrupsion në Prokurorinë e Përgjithshme Kosta Beluri dhe vjen 24 orë pas publikimit të lajmit se hetimet ndaj Gjiknurit do të udhëhiqeshin nga Arben Kraja.
Grupi që do të vazhdojnë verifikimet e nisura nga Kraja, tashmë drejtohen nga prokurorja Antoneta Sevdari e cila po ashtu drejton hetimet dhe për Kastriot Ismailajn, administratorin e kompanisë DIA që do të mblidhte borxhet ndaj CEZ-it, i cili dyshohet për pastrim parash.
Sevdari ka drejtuar dhe një sërë dosjes hetimore përfshi atë të vjedhjes së Bankës së Shqipërisë, kryebashkiakun Xhelal Mziu, apo rastin e biznesmenit italian Francesco Bechetti.
Por si do të procedohet me kallëzimin ndaj Gjiknurit?
Pritet që brenda muajit tetor Prokuroria e Tiranës të referojë me shkrim një raport ku do të përcaktohet nëse ka apo jo element të veprës penale të konsumuara nga Gjiknuri dhe Hicka.
Në rast të ekzistencës të elementëve të veprës penale, kallëzimi ndaj ministrit Gjiknuri do të kalojë sërish për kompetencë të Prokurorisë së Përgjithshme dhe ajo ndaj Hickës do të qëndrojë tek Prokuroria e Tiranës.
Por nëse pas verifikimit rezulton se nuk ka element të veprës penale, atëherë kallëzimi do të bëhet nul dhe me firmë të drejtuesit të akuzës në Tiranë hetimet do të pushohen.
Gjiknuri dhe Hicka u kallëzuan në fillim të kësaj jave nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, pasi sipas KLSH ata janë përgjegjës për një dëm ekonomik në vlerën e rreth 500 milionë euro në raport me marrëveshjen që shteti shqiptar ka bërë me kompaninë çeke CEZ shpërndarje.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)