Pranë bulevardit, aty ku gjatë protestës u regjistruan përplasje mes demonstruesve dhe policisë, Kryqi i Kuq kishte ngritur dhe këtë të shtunë një tendë të posaçme të ndihmës së shpejtë për personat e lënduar. Në terren ishin angazhuar mbi 15 vullnetarë, mes tyre mjekë, infermierë dhe studentë të mjekësisë, të cilët ofronin asistencë për këdo që paraqitej me lëndime apo probleme të çfarëdoshme
Në këtë tende morën asistencë disa dhjetëra protestues. Pjesa dërrmuese, për shkak të problemeve nga gazi lotsjellës, me disa prej tyre në gjendje asfiksie. Mbi 10 protestues kishin dëmtime të shkaktuara nga plumbat e gomës në pjesë të ndryshme të trupit. Madje pati dhe nga ata që ishin paraqitur me fraktura, por jo të gjithë pranonin që të shoqëroheshin në spital, nga frika e një procedimi të mundshëm nga policia.
Me shpërndarjen e protestuesve nga bulevardi, në Sheshin Skënderbej, në pikën e Kryqit të Kuq mbeti vetëm një grup i vogël vullnetarësh. Pjesa tjetër doli në terren për të ofruar ndihmë të drejtpërdrejtë.











Komente
Komento