“Një malësor prej Hoti bie një herë në qytet për miting dhe shkon me u rruejtë te një berber. Ky fillon tu i zbutë mjekrën me sapun e merr briskun me e rruejtë. Malsori, për me i tregu se ishte burrë i fortë, i thotë berberit: -Sa të mundesh pak shpejt se kam punë; edhe s’ka gajle me e lagë mjekrën, se jam prej Hotit unë!

Edhe berberi filloi me e rruejtë pa e lagë fare e zu me kërcitë mjekra: gërr, gërr! Kur filloi me i djegë faqja malsorit, i tha berberit: -Shiko këtu, unë nuk jam bash prej Hotit brenda, rri pak nën Hot…”.                                                    

Tek rrëfente bukur e ne qeshnim pas debatit miqësor për 3 Marsin te “Brryli”, mëhallaliu ynë shkodran na tha se kjo anekdotë jo e mocme qarkullon sot e gjithë ditën jo vetëm nëpër Malësinë e Madhe. Disa mbështetës të thekur të Doktorit, pjesmarrës në atë “protestë kombëtare” po fërkojnë barkun e duart për poste e kolltuqe të pamerituara. (Sa shumë u këputet shpirti për Kombin, sidomos pasi dalin liderët nga vilat dhe veturat luksoze të siguruara nga “rroga” e shtetit, bashkë me dhjetra bodiguardë e mercenarë, e pa dy gishta dinjitet e nder në ballë !). Rrodhën mbi 30 vjet Pluralizëm rrumpallë. C’i kanë punuar këtij kombi të pafat e të sfilitur në emër të Lirisë e Demokracisë ! Sidomos ata që deri dje “linin kokën” për PPSH-në e udhëheqësin e saj dhe nuk rendnin me kaq vrap drejt favoreve e privilegjeve të regjimit monist. Një tjetërsim e “revolucionarizim” brenda natës në bindjet politike e në moral dhe një ditë arritën të pushtojnë majat e shtetit “të së Drejtës”! 

Postulati i Havelit të madh, vazhdon të vezullojë ende : Komunistët më të rrezikshëm janë komunistët “antikomunistë” ! Ata që do na shesin dëngla e vëngla edhe në mitingun e 3 Marsit. Një kolegu ynë penëmprehtë ia vuri bukur kapakun : Ai miting “ nuk vlen si betejë, vlen si një miting për të ikur nga beteja. Si një tufë bashibozukësh të shpartalluar “…Thonë se do marrin bukë me vete ose qofte tek dyqani i ish ministrit bërxhuk të Drejtësisë, që e mori kolltukun fët e fët pasi shiti ndyrësisht gjakun e 4 të rënëve krejt të pafajshëm te trotuaret e Kryeministrisë(?!) në 21 Janarin e zi. Familjarët e të rënëve nuk po trokasin akoma te zyrat e tij mondane në “kullat binjake” pranë gjakut dhe selisë së Qeverisë. Por Zoti është i madh. Thoshte mirë dikur Persefoni e mikut tim Viktor Lamani (Londo) në Përmet : Perëndia mban vesh, nuk tjerr lesh, o djema!

Së pari, përse vallë ky yrysh i paparë, gjoja për të dhënë dorëheqjen Rama pas kakofonisë bajate nëpër foltoret ambulante e arrogante ? Dhe kur ? Në ditën kur Gjykata do marrë vendimin tepër të vonuar për legjitimimin e drejtimit të PD-së cyryke e copë-copë ! Po të kishte votat Doktori, as që do bëzante për “revolucion”. Mbase do gjente shpejt e do kalëronte ndonjë tank si në ’98-ën në Bulevard, që Gjykata të mos pipëtinte as me gojë e as me shkrim ! Por…harro mushkë Valarenë ! Ky “ujk qyteti” më kujtoi atë titullin “Poema e njeriut-ujk”(Vërtet jetojmë në botën e ujqërve me dy këmbë ?! ). Dhe prapë në 3 Mars, c’do na dëgjojnë veshët e carë ! Që Drejtësia e vërtetë të kycë gojën. Dhe ne do mërmërijmë nofullashtrënguar përballë ulërimave e klithmave të “njeriut – ujk”, atë vargun therës : “Ulërij e ulërima tund bulevardet, sheshet, hendekët…”. Pak orë pas fjalës së Ramës në Parlament dhe diskutimeve të pakufizuara të deputetëve në tempull. Përse ky padurim furtunë në gotë ?

Së dyti, disa drejtues opozitarë, realisht i kanë vënë dhe po i vënë pleshtit zile, duke e bërë edhe mizën buall. Pse nuk presin verdiktin e Drejtësisë Amerikane, por u bien daulleve të grisura pëdëiste nëpër Shqipërizën tonë ? Sepse përballë fatit të liderëve “pushkëplasur”, tashmë nuk u hyn asgjë në sytë e buhavitur nga ulërimat e thirrjet provinciale pa pikë qytetarie. Dhe nuk janë thjesht “vesveselinj rebelë” (Ah, të ish gjallë shkrimtari e piktori refugjat, Aleksandër Babe, miku im që nuk bëri asnjë kompromis me të keqen djathtas e majtas ! Novela e tij e famshme “Vesveseliu”, dikur u kthye pa mëshirë në karton si “frojdiste” me urdhër nga Kupola lart. Dhe pagoi kosto jo të vogël Alekua ynë i talentuar, që nuk qëndroi asnjë cast lepe-peqe në Vlorë e gjetkë. Djali i Thanasit antifashist i orëve të para, që e la vetëm 7 muajsh në djep dhe u tret e u shkrumbua në Mathauzenin shfarosës të nazizmit…). Këta “vesveselinj” kallp nuk begenisin as Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, kur flet para Komitetit Gjyqësor të Senatit për cështjen McGonigal etj. Sepse mbi të gjitha, liderëve kryesorë opozitarë u ka hyrë lepuri në bark. Dhe tabori me kokëtulë nuk ua beson as pleqërinë, nuk i quan “pushkë e lagur” dhe as “dyfek me cark”(me vizion të vjetruar e të prapambetur). Duke ia shtuar përditë votat Ramës. Forcat politike opozitare, tani për tani mund të bëhen bashkë, me sa bëhen bashkë “një grusht pleshta” ! Ky është realiteti i hidhur, të tjerat janë dokrra pa kokrra. Në një kohë që vendi ka tepër nevojë për një opozitë të mencur, serioze, frymëzuese e dinjitoze dhe aspak për militantizëm shterpë e lëpirëse lapanjoze. Ndezja e fitilëve antidrejtësi amerikane, në fund të fundit, është antikombëtare…

Së fundi, mësojmë se BE po harton listat e “non gratave” për korrupsion. Me të njëjtin standard si Uashingtoni e Londra. Dhe ky fakt i ka tronditur e cakërritur jo pak liderë-kalanderët e molepsur në pasuri e konto bankare. Sekuestrimi i pasurive i tmerron edhe më tepër se prangat e qelitë. Po nuk bëri këtë hap të domosdoshëm BKH-ja dhe SPAK-u, mendoj se Drejtësia e vërtetë është në rrezik. Të tjerat janë fjalë, imzot, fjalë ! Kam bindjen se ky është edhe verdikti i opinionit të shëndoshë publik në Shqipëri e jashtë saj. “Korrupsioni në vendet e treta mund të ndikojë gjithashtu në funksionimin e demokracisë së BE-së me fluks parash që blejnë ndikim politik në BE “. Dhe jo rastësisht sanksionet po bëhen gati…

Sa për Doktorin, fiks mbi 30 vjet më parë, unë e kam mbështetur me një shkrim të botuar në faqen e parë të gazetës së dashur “Bashkimi”. Dhe nuk jam bërë hic pishman. E botova pasi Berisha bëri deklaratën – betim se nuk do lëvizte kurrë me shtëpi nga “Brraka” dhe as do transferohej në Pallatin e Brigadave, për të zënë triumfues krevatin e Perandorit si partizani Meke. Ka dalë në atë gazetë ku Doktori botoi edhe shkrimin e parë “opozitar” kundër regjimit monist ! Po sot ? No koment … Sinqerisht, nuk e di me kë i pleqëron hallet e problemet sot. Se ata të fillimeve demokratike e nderuan, e cuan në buzë të greminës, bashkë me shtetin në rrokullimë ! Dhe tani e shikojnë si iriqin “që gjembat nxjerr e bëhet një lëmsh i fortë,/ Unë e kam detyruar të mblidhet nga frika qyqari”. Jam ujk qyteti…Nuk e di, a është falur ndonjëherë te ai berberi shkodran apo do të presë fundin e mocionit debat të Edit në Parlament ?!

Se ndodh që kur ka shumë këndeza, nuk merret vesh kur gdhihet. Mirëpo, atë që ta bën populli, nuk ta bën as Perëndia!