TIRANE-Prokurori i Antimafias italiane Federico Cafiero De Raho ndodhet në një vizitë zyrtare në Shqipëri. Ai është takuar me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj dhe Kryeprokuroren Arta Marku. Në qendër të takimit të Federico Cafiero De Raho ka qenë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Italisë për të goditur grupet kriminale. Prokurori i Antimafias italiane theksoi se për Italinë vijon që të jetë shqetësim trafiku i kanabisit nga Shqipëria, por edhe i kokainës, ndërsa shtoi se grupet kriminale shqiptare dhe italiane kanë krijuar aleancë në Itali. 

Kriminaliteti shqiptar ndërhyn me administrimin e trafikut të drogave të lehta dhe me trafikun e armëve. Dhe së fundmi edhe me administrimin e trafikut të kokainës. Së fundmi po merret edhe me këtë sektor të ri. Hetimet që po zhvillohen në Itali janë tepër të mëdha, kriminaliteti shqiptar nuk është vetëm i pranishëm në brigjet e Jonit, si në Kalabri dhe në ato të Adriatikut, në Pulja, por edhe në rajonet qendrore dhe së fundmi është i pranishme edhe në rajonet e Italisë së Veriut.

 

Edhe informacioni që na u dha për largimin e plot 200 punonjësve të policisë për dyshimin e punës së tyre, tregon se ka vetëdije dhe seriozitet ne qëllime lidhur me pastrimin që duhet bërë në sektorin e policisë, si në sektorë të tjerë. Ky është një tipar dallues i strukturave mafioze. Mafia që Itali ka qenë e fortë, sepse kishte arritur të përfshinte në radhët e  saj, njerëz të policisë, të ekonomisë, të politikës. Duke u mbështetur te këto shtylla, mafia u forcua.

Kriminaliteti shqiptar ka arritur nivele penetrimi në territor, pikërisht nga aftësia që ka jo vetëm për të administruar trafiqet e saj,  për të bërë aleanca me organizata mafioze italiane, përveçse për t’u futur në ekonominë e ligjshme dhe për të patur marrëdhënie me një pjesë të politikës.

Niveli ynë i luftës nuk ka të bëjë kurrë me personat dhe as pozitat sociale, ekonomike, politike. Ne kemi vetëm një rregull, që është gjithnjë ai i zbatimit të ligjit, që duhet të zbatohet njësoj për të gjithë qytetarët. Kujtdo grupi social, ekonomik, apo politik i përkasin këta njerëz, hetimet kanë ecur gjithnjë përpara në Itali dhe kjo është forca jonë. Po ashtu na duket se do të ndodhë edhe në Shqipëri, sepse kjo na është treguar dhe për hapat e tjerë që janë bërë para në luftën e krimit të çdo lloji”, tha De Raho.

Ndërsa ministri i Brendshëm në një postim në Twitter shprehet se me prokurorin italian të antimafias është diskutuar për goditjen e krimit dhe grupeve kriminale. “Sapo përfundova një takim shumë të dobishëm me mikun tim Prokurorin Kombëtar italian Antimafia, De Raho dhe bashkëpunëtorët e tij, që dje në Tiranë. Diskutim profesional e i frytshëm me një nga prokurorët më të njohur, me përvojë të shkëlqyer në luftë kundër krimit të organizuar.

Me Prokurorin italian Antimafia, De Raho, diskutuam çështje konkrete me shumë interes lidhur me bashkëpunimin dypalësh në luftë kundër krimit të organizuar transnacional, të sofistikuar e te fortë ekonomikisht, për goditjen e lidhjeve të tij korruptive dhe aseteve kriminale. Shkëmbim informacioni më të shpejtë, analiza dhe hetime të përbashkëta me skuadra mobile si dhe trajnime me Policinë shqiptare - ishin të tjera tema shumë interesante diskutimi me Prokurorin italian Antimafia dhe Antiterrorizëm, De Raho dhe delegacionin që e shoqëronte”, thotë Xhafaj.

d.b/s.k/shqiptarja.com