Në vizitën në Kosovë, kryeministri Rama tha se Gjykata e Hagës është edhe më politike se gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën. Ai e quan “varrosje për së gjalli” dënimin prej 45 vitesh të kërkuar për 4 ish-krerët e UÇK-së (180 vite në total). Rama e konsideroi Prokurorinë Speciale në Hagë, si një prokurori idotësh.
Kryeministri u shpreh se ky është një test për Perëndimin dhe e sheh si një “pengmarrje për arsye politike”. Ai shtoi se lufta e UÇK-së ishte mobilizim i një populli për lirinë, teksa theksoi se të dyja vendet duhet të bëjnë diçka dhe të gjejnë një mënyrë veprimi.
“Sot jemi këtu, mund të themi fjalë sa të duam mes vete, mund të përdorim gjithë qoshet e pasura të fjalorit të gjuhës shqipe për të nxjerrë dufin legjitim ndaj një prokurorie idiotësh, por çështja është që ata nuk janë thjesht idiotë. Janë instrumente të një gjykate që është edhe më politike sesa gjykatat e Serbisë në raport me Kosovën, me ligjet e kohës, nëse u referohemi kur ka ndodhur lufta dhe nëse UÇK nuk do ta fitonte luftën dhe populli i Kosovës nuk do të çlirohej, në gjykatat e asaj Serbie, dënimet e kërkuara nga prokurorët do të ishin të pamundura sepse me ligjet e asaj Serbie, 45 vjet që do të thotë varrosje për së gjalli e njerëzve nuk ka. Drejtësia ndërkombëtare e financuar nga shtetet demokratike që për turpin e tyre vazhdojnë ta ndjekin me indiferencën e madhe gjithë këtë katastrofë për Europën, botën demokratike përveçse për 4 njerëz krejtësisht të pafajshëm, faktikisht bën që ne sot të ngremë një pikëpyetje për veten tonë se çfarë mund dhe duhet të bëjmë. Nuk e kam përgjigjen për këtë, por jam i sigurt që duhet të bëjmë diçka edhe më shumë sepse është një katastrofë për vetë drejtësinë ndërkombëtare, Europën, të cilin Kosova e testoi dhe fatmirësisht Perëndimi duke e njohur Kosovën, kaloi testin e humanizmit të vet, por nëse sot Perëndimi nuk e kalon këtë test dhe merr përsipër varrosjen për së gjalli të 4 njerëzve të pafajshëm duke lënduar si s’ka më keq popullin e Kosovës, mbetet një problem shumë i madh. Nuk di të them më shumë fjalë, por di që kjo është pengmarrje për arsye politike jo të Perëndimit si i tërë, por i forcave që kanë dashur të barazojnë dy gjëra që nuk barazohen dot: dhunën etnike të një makinerie lufte tërësisht fashiste dhe luftën çlirimtare të një ushtrie që emrin e ka pasur ushtri, por në fakt ka qenë një mobilizim popullor ku ata që janë që janë trajtuar atje në gjyq kanë qenë udhëheqësit shpirtërorë, moralë e politikë”, tha Rama.
Lajmi kryesor:
Gjyqi në Hagë/ Rama: Osmani u kërcënua se nuk lejoi prokurorët t’i dhunonin zyrën, dënimi me 180 vite burg për liderët e UÇK-së do ishte varrosje për së gjalli (VIDEO)












