-Presidentja Atifete Jahjaga priti prokurorin kryesor të Task Forcës për Hetime Speciale (SITF), Clint Williamson-
Presidentja Atifete Jahjaga priti prokurorin kryesor të Task Forcës për Hetime Speciale (SITF), Clint Williamson
PRISHTINË, 21 Korrik /ATSH-B.Jashari/.-Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim prokurorin kryesor të Task Forcës për Hetime Speciale (SITF), Clint Williamson, i cili po viziton Kosovën në prag të shpalljes së të dhënave hetimore.
Presidenca kosovare në njoftimin e dërguar bën të ditur se, Williamson falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen e saj dhënë Task Forcës për Hetime Speciale.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara të bashkëpunojnë me SITF në periudhën në vijim për të forcuar rendin dhe ligjin dhe për të përmbushur detyrimet ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe vendore.
Presidentja Jahjaga tha se "Kuvendi i Kosovës e ka mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale dhe që në momentin e konsolidimit institucionet e sapozgjedhura do të zbatojnë marrëveshjen e ratifikuar duke bërë ndryshimet e domosdoshme ligjore dhe kushtetuese për të akomoduar krijimin e gjykatës së re".
Presidentja Jahjaga tha se "qasja e Kosovës ndaj drejtësisë të jetë gjithëpërfshirëse dhe se hetimet që dalin nga raporti i Këshillit të Evropës nuk janë përpjekje për të gjykuar betejën tonë kolektive për liri, por mënyrë për të hetuar krimet e supozuara individuale".
Presidentja Jahjaga e siguroi Williamson se Kosova është e përcaktuar që të ballafaqohet me këto akuza në një proces të besueshëm dhe do të përmbushë detyrimet e saj me përgjegjësi dhe dinjitet në mënyrë që të përmbyllë këtë kapitull që do të forcojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës./k.s/