TIRANE - Zbardhja e vendimit të gjykatësit Neritan Tabaku për lirimin e Ilir Xhakes ka bërë që Prokuroria t’i drejtohet Apelit duke kërkuar lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda që e dënonte atë me 24 vjet burg.

Sot është zhvilluar seanca e parë në gjykatën e Apelit në Durrës, ku prokuroria kërkoi lënien në fuqi të vendimit të gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila e dënoi Ilir Xhaken me 24 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qerim Maloku më 26 korrik të vitit 1998.

Odiseja e kësaj dosje ka qenë e gjatë pasi fillimisht Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës dhe konkretisht gjykatësi Neritan Tabaku e shpalli të pafajshëm Ilir Xhaken për këtë akuzë dhe e dënoi atë vetëm me 6 muaj burg për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria e dërgoi çështjen në Gjykatën e Krimeve të Rënda, e cila e dënoi me 24 vjet burg. Më pas ishte mbrojtja ajo që e kaloi çështjen në Gjykatën e Lartë, e cila shpalli moskompetencë për shqyrtimin e kësaj çështjeje dhe e riktheu për gjykim në Shkallën e Parë.

Trupi gjykues i kryesuar nga Neritan Tabaku la në fuqi vendimin e marrë edhe më parë, sipas të cilit Ilir Xhakja shpallej i pafajshëm, por ky vendim nuk u zbardh. Pikërisht ky fakt la të lirë Ilir Xhaken, i cili më 13 shtator të 2012 ekzekutoi me armë kryekomisarin e Shijakut, Adem Tahiraj.

Prokuroria kërkoi sot rikthimin e vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda pasi disa fakte nuk janë marrë në konsideratë. Ndërkaq avokati mbrojtës Ilia Ilia theksoi se duhet lënë në fuqi vendimi i Shkallës së Parë, pasi nuk ka dëshmi dhe as prova që penalizojnë Xhaken si autor të vrasjes së shtetasit Qerim Maloku.

Mbrojtja në atë kohë paraqiti dhe një alibi se Xhakja ndodhej në Gjermani në kohën kur ka ndodhur vrasja.

Gjykata pasi dëgjoi palët, për shkak të kompelksitetit të dosjes e ka shtyrë vendimin për datën 19 Dhjetor.

VRASJA E QERIM MALOKUT
Shtetasi Qerim Maloku mbeti i vrarë në 26 korrik të vitit 1998. Ai u vra në Katund të Sukthit, në të njëjtën zonë ku mbeti i vrarë nga Ilir Xhakja në shtator të 2012 edhe kryekomisari Adem Tahiraj. Qerim Maloli u vra me armë zjarri pak para mesnate. Ai ishte banor i fshatit Sukth.

Para se të vritej, viktima Qerim Maloku kishte dalë nga banesa e tij, kishte shkuar te lokali i nipit dhe kishte pirë diçka. Më pas ishte nisur për te një bilardo që ndodhej pranë banesës së tij. Por gjatë këtij momenti viktima është goditur me breshëri automatiku nga persona të paidentifikuar në atë kohë. Pas atentatit nipi i tij Agron Maloku, djali Ylli Maloku dhe persona të tjerë kanë shkuar pranë trupit të Qerimit.

Vetëm pas disa kohësh sipas hetimeve të kryera dhe gjetjes së disa armëve në një bunker, rezultoi se gjurmët i përkisnin pikërisht Ilir Xhakjes. “Akti Nr.644 datë 19.03.2002 ‘ekspertim daktiloskopik’ bërë nga ekspertët Ardian Shehu e Orest Afezolli, ka nxjerrë konkluzionin se; ‘gjurma e gishtit objekt ekspertimi e shënuar me shkronjën ‘A’ e fiksuar mbi sipërfaqen e një fisheku, e bllokuar si provë materiale në Kodrën e Vreshtit Jubë Durrës, më datën 18.03.2002, është formuar nga gishti i madh i dorës së djathtë të shtetasit Ilir Azem Xhakja”, thuhej në një akt ekspertim.

(Gre.M/Shqiptarja.com)