DURRËS-  Në ditën e tretë të Durrësit të përmbytur, me prezencë uji ende në disa lagje periferike të tij, u shënua viktima e parë nga moti i keq. Astrit Hysenaj, 54 vjeç, punëtor i pastrimit në Bashkinë e Durrësit, u gjet i pajetë nga policia këtë të enjten 8 janari në një kanal kullues, në zonën e ish-repartit ushtarak pranë Plepave. Dyshohet se ai është marrë nga rrjedha e ujit e krijuar nga përmbytjet.

Familja e tij e kishte denoncuar të zhdukur prej 6 janarit, ditën e parë të përmbytjeve që përfshirë Durrësin. Sipas kryebashkiakes Emirjana Sako, më 6 janar, herët në mëngjes, në orën 06:00, Hysenaj ishte paraqitur në punë dhe kishte ushtruar detyrën deri ne orën 10:30.  Pasi 54-vjeçari nuk u kthye në banesë, familjarët e kërkuan së pari në vendin e punës dhe më tej denoncuan në polici në orën 16:00.

Vdekja e punëtorit shënon pikën më të rëndë të përmbytjeve katastrofike në Durrës që kanë shtyrë Prokurorinë të nisë hetimet kryesisht, për 3 vepra penale’; “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkatërrimi i pronës me përmbytje” dhe “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”. 

"Regjistrimi i këtij procedimi penal erdhi pas situatës së krijuar përgjatë dy ditëve ku për shkak të rreshjeve të vazhdueshme u krijuan problematika reale, të dukshme për personat fizikë, për mirëqënien e tyre por edhe dëme të konsiderueshme", informoi Prokuroria e Durrësit

Organi i akuzës thotë se gjendja e krijuar 2 ditë më parë nga përmbytjet, pengoi "zhvillimin normal i aktiviteteve arsimore, shtetërore, shëndetësore, ka krijuar bllokimin e rrugëve urbane dhe interurbane, përmbytjen e banesave dhe vendosjen në rrezik real të jetës së qytetarëve, përmbytjen e institucionit penitenciar duke vendosur në gjendje emergjente të gjithë qarkun" dhe se në këto kushte ka të dhëna të mjaftueshme dhe të arsyeshme se jemi përpara një fakti penal.

"Gjithashtu, nga të dhënat e deritanishme rezulton se si pasojë e kësaj situate dyshohet se ka ardhur për pasojë dhe vdekja e shtetasit A.H., i cili rezulton të jetë punonjës i Ndërmarrjes Komunale Plazh. Nga të dhënat paraprake ka dyshime që ai ka humbur jetën për shkak se është marrë nga rrjedhja e ujit e shkaktuar në vend", njofton Prokuroria e Durrësit. 

Prokuroria e Durrësit thekson se do të jetë hetimi ai që do të përcaktojë nëse shkaqet e përmbytjes kanë qenë natyrore apo kanë ardhur si pasojë e pakujdesisë apo mospërmbushjes së detyrës nga ana e organeve kompetente shtetërore apo të vetëqeverisjes vendore.

1767710068_permbytjetnedurres.JPG

Foto me dron nga përmbytjet në Durrës

Situata në qarkun e Durrësit mbetet kritike nga përmbytjet, sidomos në Njësitë Administrative Sukth dhe Katund i Ri, ku përmbytja erdhi edhe nga rritja e prurjeve të lumit Erzen, duke rënduar më tej situatën. Emergjencat civile urdhëruan evakuimin e detyrueshëm të banorëve.

Zona e ish-Kënetës, Shkozeti, Spitalla po vuajnë pasojat e përmbytje së dy ditëve më parë. Në terren, shihen kanalet kulluese të bllokuara nga inertet, dherat dhe mbetje urbane, një shkak që dyshohet se ka çuar edhe në përmbytjet. Në vend që të përcjellin ujin drejt detit ato janë kthyer në barriera pritëse.

Në qendër të akuzave të opozitës janë investimet, mes tyre dhe hidrovori i ri i ndërtuar në vitin 2022 në Porto Romano, i cili dyshohet se nuk ka funksionuar me kapacitet të plotë. Për këto dyshime, Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK.

Foto nga plehrat në kanale kulluese

Deri më tani, perllogariten mbi 1 mijë banesa te permbytura ne Durres, rreth 335 biznese janë dëmtuar dhe mbi 300 banorë janë evakuuar në Konvalishencë.

Njoftimi i Prokurorisë së Durrësit

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:31
'Ku shkuan 19 milion eurot e hidrovoreve'? Kuçana pasi kallëzoi në SPAK kryebashkiaken e Durrësit: Ka ardhur momenti i përgjegjësisë penale!

Anëtarja e Këshillit Bashkiak të PD-së Ilirjana Kuçana, e cila ka depozituar një kallëzim penal në SPAK kundër kryetares së bashkisë Emiriana Sako, i është bashkuar protestës së sotme të qytetarëve të Durrësit pas përmbytjeve masive që përfshinë të gjithë qarkun. 

Duke folur për Report TV, Kuçana tha se kallëzimi i saj nuk lidhet vetëm me situatën aktuale, por edhe me problematika të përsëritura ndër vite.

Sipas Kuçanës, kjo situatë nuk duhet parë si çështje partiake, por si përgjegjësi politike dhe institucionale. Ajo përmendi zonat e ish-Kënetës, Xhafzotajt, Sukthit dhe Katundi i Ri,  ku mungesa e ndërhyrjes shtetërore ka qenë më evidente. 

“Në kallëzimin që kam depozituar në SPAK nuk është vetëm situata aktuale, por edhe situata në të shkuarën. Kam rikallëzuar edhe çështjen e vitit 2025, ku kam kallëzuar kryetaren e Bashkisë Emiriana Sako dhe Bordin e Kullimit në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët janë përgjegjës drejtpërdrejt. SPAK shpalli moskompetencë dhe e ktheu këtë dosje në Prokurorinë e Durrësit, ku përmes verës 33 mijë euroshe të Ergys Agasit këto dosje janë shpëlarë dhe nuk ka pasur asnjë reagim. Unë kam bërë një kallëzim të ri ku bëj përgjegjëse kryetaren e Bashkisë Emiriana Sako, Bordin e Kullimit dhe Ministrinë e Bujqësisë, e cila ka një investim prej 19 milionë eurosh. Ku kanë shkuar këto para? Ku janë investuar? Pse nuk punon hidrovori? Kush mban përgjegjësi që këta qytetarë përmbyten sa herë bie shi? Unë mendoj se ka ardhur momenti që të mbahet përgjegjësi penale. Ky është moment reflektimi i thellë. Këtë situatë nuk duhet ta bëjmë partiake, por kjo situatë është politike.Zona e ish-Kënetës, zona e Xhafzotajt, në Sukth dhe Katundi i Ri janë zona ku ka munguar ndërhyrja shtetërore. Unë mendoj që çizmet nuk duhen veshur për të bërë fotografi apo propagandë. Kryetarja e Bashkisë duhet të kishte ekipin e saj në terren, ashtu si ministri Vengu. Unë kam parë një mungesë përgjegjësie totale. Qytetarët i ka mbuluar uji dhe na takon si opozitë që t’u gjendemi pranë”, tha ajo për Report TV.

 

Ora 17:32
Durrës/ Vdekja e punonjësit të komunales për shkak të motit, Sako: Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë orarit të punës

 

Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emirjana Sako, ka bërë me dije se 35 persona janë evakuar në Katund të Ri dhe 55 të tjerë në Sukth, për shkak të përmbytjeve. 

Sako foli edhe për vdekjen e punonjësit të komunales, 54-vjeçari Astrit Hysenaj, i cili dyshohet se humbi jetën për shkak të motit të keq. Kryebashkiakja tha se sipas të dhënave paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur jashtë orarit të punës.

"Kemi qenë deri në orët e vona dje duke punuar në zonën e Durrësit të Ri dhe, gjatë mëngjesit, kemi marrë njoftimin që Erzeni po shkonte drejt kuotave maksimale; kemi dërguar grupet. Është rast i përsëritur si në 2021. Nuk kemi pasur prurje që të nxjerrë lumin nga shtrati, por mendojmë që mund të kenë ardhur prurje edhe nga qytetet e tjera. Evakuimi pak më herët në Katundin e Ri, 35 persona atje, 55 nga njësia administrative Sukth, janë akomoduar në 2 hotele, sepse kavalishenca dhe godina e ushtrisë janë ezauruar nga Durrësi i Ri. Pritet të evakuohen rreth 150 persona. Në këtë moment gjëja më e rëndësishme janë jetët e njerëzve dhe pastaj të mendojmë për dëmet.

Humbja e jetës: morëm informacionin nga policia për të ndjerin, që po pastronte. Personi ka qenë në datën 6, nga ora 6 e mëngjesit deri në 10:30, më tej është larguar. Pas kësaj, në orën 16:00 familjarët kanë telefonuar për të pyetur nëse ishte në punë. Me datën 7 kanë bërë denoncimin, pra ai nuk ka qenë në orar të punës sipas të dhënave paraprake",- tha Sako.

Ora 17:31
Durrës/ 1 viktimë nga përmbytjet, Partia e Lirisë: Kërkojmë interpelancë me kryebashkiaken Emiriana Sako

Pas viktimës së parë nga përmbytjet në Durrës, Partia e Lirisë thotë se kryetarja e Bashkisë Emirjana Sako duhet të thirret në interpelancë urgjente në Këshillin Bashkiak për të dhënë sqarime mbi masat që po merren, që sipas PL duhej të kishin ngritur në këmbë autoritetet më të larta të vendit.

“Humbja e jetës së një qytetari si pasojë e përmbytjeve në Qarkun e Durrësit është një tragjedi shumë e rëndë dhe një dëshmi tronditëse e kapitullimit të shtetit që detyrën e tij themelore dhe obligimin kushtetues ka mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Një tragjedi e paralajmëruar, që mund dhe duhej të ishte shmangur, nëse Edi Rama, ministrat e tij dhe Bashkia e Durrësit do të kishin marrë masa reale efektive parandaluese, në vend që të fshiheshin pas justifikimeve cinike dhe të fajësonin qytetarët e përmbytur, që kanë humbur gjithçka nën ujë, duke i akuzuar padrejtësisht për bllokimin e kanalizimeve nga hedhja e mbeturinave. E vërteta është e qartë dhe e dhimbshme, kanalizimet dhe hidrovoret nuk janë bllokuar nga qytetarët, por nga papërgjegjshmëria dhe korrupsioni i shfrenuar, i Edi Ramës dhe Emirjana Sakos, që nuk ngopen së vjedhur taksat e qytetarëve të Durrësit por me babëzinë kriminale ju turrën për të gllabëruar edhe kanalizimet e hidrovoret, duke vjedhur të paktën 46 milion euro.

Mbeturinat e vetme që kanë paralizuar sistemin e ujësjellës-kanalizimeve në Qarkun e Durrësit janë Edi Rama dhe Emirjana Sako, përgjegjës direkt për humbjen sot të jetës së një qytetari të pafajshëm, punonjës të komunales së Bashkisë së Durrësit. Në emër të Partisë së Lirisë, kërkojmë me vendosmëri shpalljen e menjëhershme të gjendjes së fatkeqësisë natyrore në të gjitha zonat e përmbytura, veçanërisht në Qarkun e Durrësit, evakuim të menjëhershëm të banorëve dhe bagëtive në rrezik, si dhe dëmshpërblim të plotë, deri në qindarkën e fundit, për çdo pasuri të shkatërruar nga korrupsioni skizofrenik dhe papërgjegjshmëria kriminale institucionale.

Grupi i këshilltarëve bashkiakë të Partisë së Lirisë në Bashkinë e Durrësit ka kërkuar sot interpelancë urgjente me Kryetaren e Bashkisë, Emirjana Sako, për t’i dhënë fund heshtjes dhe shmangies së përgjegjësive përballë një katastrofe që nuk është vetëm natyrore, por mbi të gjitha produkt i vjedhjes, keqmenaxhimit dhe neglizhencës së qëllimshme. Durrësi meriton llogaridhënie, drejtësi dhe zgjidhje tani dhe Partia e Lirisë është e vendosur për të bërë gjithçka në mbrojtje të pronave, shëndetit dhe jetës së qytetarëve”, thuhet në deklaratën e PL-së.

Ora 14:23
Përmbytjet në Durrës, shkak bllokimi i kanaleve nga mbeturinat (VIDEO)

 

Durrësi është një ndër qarqet që ka paraqitur problematikat më të mëdha nga moti i keq që ka prekur Shqipërinë gjatë ditëve të fundit.

Report Tv sjell pamje nga bllokimi i kanaleve kulluese, që kanë dalë jashtë funksioni dhe kjo për shkak të hedhjes masive të mbeturinave. Pamjet janë tepër shqetësuese dhe transmetojnë katastrofën që shkaktohet nga vetë dora e njeriut dhe pasojat janë të mëdha.

Në ditën e tretë të përmbytjeve në Durrës, përllogariten mbi 1 mijë banesa të përmbytura, 335 biznese të dëmtuara. Po kështu mbi 350 banorë janë evakuar dhe po strehohen përkohësisht në Konvalishence.

Ora 12:31
Përmbytjet e Durrësit në SPAK, Kuçana padi për Emiriana Sakon: 19 mln eurot për hidrovorin shkuan tek familjarët e kryebashkiakes

Një padi e depozituar nga Ilirjana Kuçana, anëtare e Këshillit Bashkiak të PD, e ka çuar çështjen e përmbytjeve të Durrësit në SPAK. Kuçana, e cila kandidoi për deputete në Durrës, tha se ndërtimi 19 milionë eurosh i hidrovorit të qytetit ishte abuzim dhe paratë shkuan të familjarët e kryebashkiakes Sako e të tjerëve.

“Kam depozituar një kallëzim për znj. Emiriana Sako, për Bordin e Kullimit, për Minisrinë e Bujqëisë, për të gjitha institucionet që janë përgjegjës për përmbytjet e Durrësit. Ky është kallëzimi i dytë. Në 2025-n kam depozituar një tjetër kallëzim, ku i kam kërkuar SPAK-ut për t’u marrë me këtë ccështje.

Ai kallëzim ka kaluar për mos kompetencë në Prokurorinë e Durrësit, e cila e ka larë me shishen e verës së Ergys Agasit 33 mijë euro dhe deri më sot unë nuk jam thirrur, dhe nuk kam informacion se ccfarë ka ndodhur me përmbytjet e 2025-s.

Rikthehemi te përmbytja e 2026.

Kemi një investim rreth 19 milionë për Hidrovorin. Vetë znj. Sako shkruante se Durrësi nuk do të ketë më probleme me përmbytjet. Ju e keni parë, që jo vetëm se Durrësi ka tre ditë nën ujë por këta kanë arritur të përmbytin edhe Gjirokastrën.

I bëj thirrje sot drejtuesit të ri të SPAK, Klodian Brahos, të merret seriozisht dhe personalisht me këtë kallëzim. Jo nuk është përmbytje nga Zoti. Unë kam bërë përgjegjës pikërisht atë që mendon se është Zoti i shqiptarëve, Edi Rama.

Situata është shumë e rënduar. Qytetarë ndodhën nën ujë, investimi i gjithë jetës ndodhet nën ujë. Sa familja janë larguar dhe kanë lënë pasurritë e tyre. Tenderat dhe paratë e durrsakë  kanë shkuar në mënyrë të drejtpërdrejtë për familjarët e Emiriana Sakos, z. Kovaçi dhe të tjerëve”, tha Kuçana.