Kërkesa e Prokurorisë Speciale për 45 vite burg për secilin prej ish-krerëve të UÇK-së është “absurde” dhe praktikisht dënim i përjetshëm në kushtet e mungesës së provave të forta. Kështu mendon ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch.

 “Kjo është absurde sepse është e barabartë me dënim të përjetshëm. Nëse qëndrojnë 45 vite brenda, ata nuk mbijetojnë dot, do të vdesin në burg. Pra është dënim i përjetshëm. Siç e thashë, është një kërkesë absurde. Por është absurde edhe sepse ka shumë pak prova. Është edhe më e çuditshme të kërkosh diçka të tillë kur ka pak prova” tha ai në një intervistë për Kosovapress.

Bosch shkon më tej, duke thënë se edhe në një skenar hipotetik, dënimi do të ishte i tepruar. Megjithatë, Bosch paralajmëroi se edhe në rast lirimi, procesi mund të mos mbyllet shpejt. Ai tha se ka frikën e apelimit nga prokuroria, çka do të thotë se procedurat do të vazhdojnë “për vite e vite të tëra”.

“Edhe nëse UÇK-ja do të ishte organizatë kriminale dhe Thaçi do të ishte kreu e do të jepte udhëzime – gjë që është provuar se nuk është e vërtetë – përsëri 45 vite është shumë. Sidoqoftë, unë duhet t’u besoj gjykatësve. Ajo që i frikësohem është se, nëse gjykatësit e bëjnë punën e tyre siç duhet (i lirojnë), prokuroria mund të apelojë kundër lirimit, që do të thotë se procesi do të vazhdojë edhe për vite e vite të tëra”, tha ai

Bosch tha se pret nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjyqtari Çarls Smith, të jetë neutral dhe objektiv.  Sipas tij, nëse gjykatësit e shohin çështjen me objektivitet, do të arrijnë në përfundimin se prokuroria ka “një rast shumë të dobët” dhe mund ta hedhin poshtë të gjithë çështjen, duke i liruar për mungesë provash të forta.

“Gjykatësit duhet të jenë neutralë. Ata nuk janë e njëjta gjë me prokurorinë. Ndaj shpresoj dhe duhet të besoj se gjykatësit janë vërtet objektivë. Mendoj se nëse janë objektivë, do të thonë se prokuroria ka një rast shumë të dobët. Sipas mendimit tim, ata do ta hedhin poshtë të gjithë çështjen duke thënë:“Dëgjoni, është një rast shumë i dobët” dhe pastaj ose i lironi për mungesë provash të forta, ose thoni se nuk kanë të bëjnë fare me këtë. Do të habitesha dhe mendoj se gjykata do ta komprometonte veten… dua të them gjykatësit, natyrisht nuk duhet të ushtroj presion mbi ta, por unë besoj se janë njerëz të ndershëm. Në atë rast, bazuar në atë që kam parë, ata nuk mund t’i dënojnë këta njerëz. Nuk mundet. Do të ishte shumë e çuditshme nëse do të shkonin pas prokurorisë”, tha ai

Boch e konsideron të nevojshme protestën e paralajmëruar me 17 shkurt në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, pasi sipas tij Kosova po ofendohet me pretendimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është kriminale.

“Protestat janë perfekte për sa kohë nuk janë të dhunshme. Nuk më pëlqejnë protestat e dhunshme si ajo që patët në Tiranë javën e kaluar, por protestat janë në rregull. Në këtë rast ka vend për protestë, sepse ta quash UÇK-në organizatë kriminale është fyerje për vendin tuaj. Është fyerje”, tha Bosch.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, po përballen me akuza të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, të cilat ata i cilësojnë si të pabaza, Avokatët mbrojtës i kanë hedhur poshtë këto akuza duke argumentuar se UÇK-ja nuk kishte strukturë të organizuar komanduese.