
Pasi Prokuroria e Përgjithshme provoi dënimin e gjyqtares Irena Gjoka, ka ardhur një reagim nga Grupi Parlamentar i PD, i cili përmes një shkresë zyrtare drejtuar SPAK kërkon që çështja të hetohet pa vonesa.
Në shkresën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se mosdeklarimi i vendimit gjyqësor të dënimit dhe i urdhrave të dëbimit përbën jo vetëm papajtueshmëri ligjore, por edhe kryerje të përsëritur të veprës penale të falsifikimit.
Sipas shkresës kjo situatë mund të sjellë pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë dhe kosto financiare për shtetin shqiptar.
Kërkesa e plotë e Grupit Parlamentar të PD drejtuar SPAK:
Pasi Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posacme Irena Gjoka rezulton e dënuar në shtetin grek dhe një fakt të tillë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Posacme, përfundimin pa vonesa të hetimit të saj për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.
Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Pd, Gazment Bardhi, thesohet se “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit. Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke vijuar devijimin nga parimi i barazisë përpara ligjit dhe duke lejuar vijimin e gjendjes së paligjshmërisë në sistemin gjyqësor.”.
Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të Prokurorisë së Posaçme, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor. “Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cënuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar. Kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Prokurorisë së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar.
Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit.”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.
Në përfundim, opozita thekson se “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në çështje konkrete në hetim apo në punën e Prokurorisë së Posaçme, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast.
Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar.”.
Lajmi kryesor:
Prokuroria e Përgjithshme mbyll verifikimin: Gjyqtarja Gjoka rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim vize! Ia kalon KLGJ-së









