TIRANË- Një vendim i gjykatës së Janinës, i marrë korrikun e vitit 2005 për të dënuar gjyqtaren e GJKKO Irena Gjoka për falsifikim të vizës është i vërtetë dhe autentik. Në këtë përfundim ka arritur Prokuroria e Përgjithshme pas verifikimit që zgjati 2 vite për gjyqtaren e GJKKO, dhe tashmë do t’i takojë Këshillit të Lartë Gjyqësor të vendosë fatin e magjistrates.

Prokuroria e Përgjithshme në njoftimin e shkurtër lë të nënkuptohet se ky vendim ka marrë fuqi të formës së prerë në Greqi, pasi në organet helene ekziston dhe një vendimmarrje e prokurorit grek që ta arkivojë dënimin, për shkak të mos ekzekutimit të tij.

Burime nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë për Report TV se shkresa për rastin e gjyqtares Irena Gjoka, drejtuar KLGJ-së është protokolluar nga ky institucion me datë19 Janar, dhe është nisur përmes postës sekrete. Ndryshe pretendonte KLGJ, duke deklaruar se "deri në orën 20:30 datë 20.01.2026 në adresë të KLGJ-së nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar."

“Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrije zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatëse ligjore”, thekson KLGJ.

"Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, njoftoi Prokuroria e Përgjithshme më herët.

Por në formularin e vetëdeklarimit në vitin 2016, në kuadër të ligjit të dekriminalizimit, gjyqtarja Gjoka ka mohuar që të jetë dënuar ndonjëherë. Siç duket në formular, pyetjes nëse ka qenë ndonjëherë e dënuar me vendim të formës së prerë, Irena Gjoka i është përgjigjur “jo” dhe të njëjtën përgjigje i ka dhënë edhe pyetjes nëse ndaj saj është marrë ndonjëherë ndonjë dënim gjykate, jo i formës së prerë.

Me X në kutinë e përgjigjes “JO” Gjoka është përgjigjur edhe për pyetjet nëse ndaj saj ka pasur ndonjëherë hetim apo gjykim nga një autoritet shqiptar apo i huaj (pyetja 3), nëse ka qenë ndonjëherë e ndaluar apo arrestuar për ndonjë vepër penale, apo i është dhënë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj.

Pjesë nga formulari i vetëdeklarimit të Irena Gjokës ku deklaron se nuk është e dënuar

Por një vendim i shpallur më 7 korrik 2005 nga Gjykata e Janinës, në gjuhën greke dhe i përkthyer me vulë apostile në gjuhën shqipe, tashmë i konfirmuar si autentik nga Prokuroria e Përgjithshme, thotë të kundërtën. Në gjykimin e bërë në mungesë pasi Gjoka nuk është paraqitur thuhet se Irena Gjoka më datë 24 dhjetor 2022 në orën 15:30 kishte tentuar të kalonte në pikën kufitare të Kakavijës me pasaportë të falsifikuar. Sipas vendimit të gjykatës kishte tjetërsuar vizën greke në faqen 17 duke i zgjatur vlefshmërinë.

Pasi e shpall fajtore gjykata e dënon të pandehurën me burgim tre muaj, gjobë 1500 Euro, si dhe me shpenzimet gjyqësore prej 73 Euro. Pas konsultimit me prokurorin gjykata e konverton dënimin me burg me pagesë financiare 4.4 euro për çdo dite burg, por vendimi nuk u zbatua asnjëherë. Verifikimi i Irena Gjokës nisi pas publikimit në mediat greke të disa dokumenteve pasi gjyqtarja u caktua për çështjen ndaj Fredi Belerit, Më pas ajo është akuzuar në vazhdimësi nga opozita, sidomos nga politikanë që kanë qenë subjekte gjykimi të saj. Tashmë, do të jetë qeverisja e gjyqësorit që do të vendosë nëse Irena Gjoka është apo jo në kushtet e ndalimit për të qenë gjyqtare. Se sa do të ndikojë një largim i mundshëm i saj nga sistemi tek çështjet që ka gjykuar mbetet për t’u parë.

Kliko këtu për të lexuar dënimin e Gjokës (greqisht)

Kliko këtu për të lexuar dënimin e Gjokës në shqip

Kliko këtu për të lexuar formularin e vetëdeklarimit të Gjokës

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:46
KLGJ për dënimin e Irena Gjokës: Nuk kemi marrë asnjë dokument zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme

1768942171_klgjj.jpg

Këshilli i Lartë Gjyqësor thotë se nuk ka marrë dokument nga Prokuroria e Përgjithshme, ku vërtetohet se gjyqtarja e GJKKO Irena Gjoka, rezulton e dënuar në Greqi për falsifikim dokumentesh.

Përmes një njoftimi, KLGJ shprehet se deri në orën 20:30, nuk është dërguar asnjë shkresë nga prokuroria, teksa shton se kur të mbërrijë zyrtarisht, do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në këtë institucion.

“Mirëmbrëma! Të nderuar kolegë, lidhur me njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me vendimin e miratimit të rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bëj me dije se deri në orën 20:30 datë 20.01.2026 në adresë të KLGJ-se nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar. Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatese ligjore.  Ju faleminderit!”, thuhet në njoftim.

Ora 19:10
Dënimi i gjyqtares Irena Gjoka! Grupi i PD shkresë KLGJ-së dhe ILD-së: Nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë

1768933275_pdselia.jpg

Grupi Parlamentar i PD i ka dërguar shkresë KLGJ dhe ILD, ku i ka kërkuar që të largojë nga detyra Irena Gjokën, pasi Prokuroria e Përgjithshme provoi dënimin e saj në Greqi.

Në shkresën e firmosur nga Gazment Bardhi, thuhet se Irena Gjoka ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, si dhe ka falsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit penal.

Ndër të tjera, në shkresë theksohet se deputetët e opozitës shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të KLGJ dhe ILD dhe sipas tyre, po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor.

Letra e grupit parlamentar të PD drejtuar KLGJ dhe ILD

Lënda: Mbi konstatimin e mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren e posacme znj. Irena Gjoka

Drejtuar: Z. Ilir Rusi

Kryetar i Këshillit të Lartë Gjyqësor

Z. Artur Metani

Inspektor i Lartë i Drejtësisë

I nderuar z. Kryetar,

I nderuar z. Inspektor i Lartë i Drejtëisë,

Me shumë shqetësim jemi njohur me një situatë të paprecedent në sistemin e drejtësisë, që cenon parimin kushtetues të “gjykatës së caktuar me ligj”. Prej kohësh në media është bërë i njohur rasti i fshehjes së dënimit nga autoritetet greke nga ana e gjyqtares së Gjykatës së Posacme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar znj. Irena Gjoka. Sipas këtij denoncimi mediatik, znj. Gjoka ka qenë e debuar dy herë nga Greqia dhe është dënuar po në shtetin Grek nga një gjykatë penale për kryerjen e veprës penale të falsifikimit të dokumenteve.

Konkretisht, në media janë bërë publike këto dokumente:

a) Urdhër dëbimi nga policia greke, datë 24.12.2002, për tentativë hyrjeje në territorin grek me vizë të falsifikuar. Dokumente zyrtare të Ministrisë për Mbrojtjen e Qytetarit, Policia Greke, datë 14 gusht 2025, Prot. Nr. 1623/25/1741610, vërtetojnë se ndaj saj u hap një dosje penale për veprën penale të falsifikimit, bazuar në nenin 216 të Kodit Penal Grek, si dhe se pasaporta e saj u sekuestrua.

b) Urdhër dëbimi nr. 7/13-2-2003, nga policia greke, datë 13.02.2003. Znj. Gjoka Maneku i kundërshtoi të dy urdhrat e dëbimit në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë të Athinës. Kërkesa e saj u rrëzua me vendimin nr. 320/2006, datë 03.06.2006.

c)      Vendim penal i Gjykatës së Shkallës së Parë të Janinës, Greqi, nr. 1447/2005, datë 7 korrik 2005, për veprën penale të falsifikimit, duke e dënuar me tre muaj burgim dhe 1 500 euro gjobë (më pas e konvertuar në gjobë), si dhe duke urdhëruar shkatërrimin e pasaportës së sekuestruar që përmbante vizën e falsifikuar.

 

Pavarësisht se këto fakte u bënë publike nga media, rezulton se znj. Gjoka nuk i ka deklaruar ato zyrtarisht pranë autoriteteve përkatëse, siç kërkohet nga ligji, pasi kjo do të çonte në përfundimin e mandatit të saj si gjyqtare, sipas nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016. Për të shmangur përfundimin e mandatit të saj si gjyqtare, ajo nuk i deklaroi këto fakte as në formularët zyrtarë të parashikuar nga ligji për dekriminalizimin, nr. 138/2015 apo në formularin e kandidmit si gjyqtare në Gjykatën e Posacme sipas ligjit nr. 95/2016. Mosdeklarimi i informacionit të kërkuar në këta formularë përbën një vepër penale më vete sipas ligjit.

Më datë 20 Janar 2026, Prokurori i Përgjithshëm, në zbatim të kompetencës që i njeh ligji nr. 138/2015, deklaroi se dokumentet e publikuara në media janë autentike dhe njoftoi publikisht se:

 “Mbi bazën e kërkesës së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr. 40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.”.

Në këtë mënyrë, përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit penal. Ky fakt ka krijuar një gjendje paligjshmërie  dhe antikushtetutshmërie në sistemin gjyqësor.

Në nenin 6/1 të Kushtetutës parashikohet se: “Ndalohet zgjedhja, emërimi apo ushtrimi i një funksioni publik në një nga organet e parashikuara në këtë Kushtetutë, ose të krijuara me ligj, pavarësisht përcaktimeve të bëra në dispozitat e tjera të kësaj Kushtetute, nëse verifikohen rrethana që cenojnë integritetin e funksionarit publik, sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara me ligj të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.”. Ndërkohë që neni 136/a i Kushtetutës sanksionon se: “1. Gjyqtarë mund të jenë shtetasit shqiptarë që emërohen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës dhe pas kryerjes së procesit të verifikimit paraprak të pasurisë dhe të figurës së tyre, sipas ligjit. 2. Kritere të tjera për përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve parashikohen me ligj.”.

Dënimi me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi parashikohet nga Kushtetuta si rrethanë që dikton automatikisht shkarkimin e gjyqtarit nga detyra. Konkretisht, neni 140 i Kushtetutës parshikon se: “2. Gjyqtari shkarkohet nga Këshilli i Lartë Gjyqësor kur: b) është dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një krimi.”.

Neni 47 i ligjit nr. 96/2026, parashikon se: “3. Për të gjitha pozicionet në gjykatat e posacme, magjistrati duhet të përmbushë edhe kriteret e tjera dhe kushtet e sigurisë, të parashikuara në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Në nenin 6 të ligjit nr. 95/2016, parashikohet shprehimisht se “1. Kandidati për gjyqtar në gjykatat e posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duhet të plotësojë kushtet e sigurisë përpara se të caktohet apo punësohet në një nga këto pozicione. Asnjë kandidat nuk mund të caktohet në detyrë ose të punësohet pa plotësuar këto kushte. Kushtet e sigurisë para caktimit në detyrë ose emërimit janë: a) kontrolli i verifikimit të figurës. 3. Kandidati plotëson deklaratën e kontrollit të figurës, sipas shtojcës A, të këtij ligji, dhe e dorëzon atë tek institucionet e emërtesës.”. Në pjesën 6, të Shtojcës së parë në ligj, përfshihet edhe pyetja “Ç” - A keni qenë ndonjëherë i ndaluar, i arrestuar, i dënuar për shkelje ligjore brenda ose jashtë shtetit? Kjo pyetje ka një lidhje të drejtpërdrejtë me përmbushjen e kritereve kushtetuese dhe ligjore për ushtrimin e funksionit kushtetues të gjyqtarit të Republikës, edhe në kuptim të neneve 6/1, 136/a dhe 140 të Kushtetutës, si dhe kritereve ligjore të parashikuara në ligjin nr. 96/2016.

Ky ligj përcakton si kriter për të ushtruar detyrën e gjyqtarit edhe mosqenien e tij i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë dhe se konstatimi i një fakti të tillë pas emërimit passjell mbarimin e statusit të magjistratit. Konkretisht, neni 64 i ligjit nr. 96/2026 parashikon se “1. Statusi i magjistratit mbaron në rastet kur: b) vërtetohen kushtet e pazgjedhshmërisë dhe të papajtueshmërisë në ushtrimin e funksionit”. Ndërkohë, neni 66 i po të njëjtit ligj sanksionon se: “1. Statusi i magjistratit mbaron në ditën kur autoriteti kompetent përcakton me vendim shkaqet e pazgjedhshmërisë si vijon: a) kur magjistrati nuk plotëson kriteret e përcaktuara, sipas nenit 28 të këtij ligji. 4. Këshill deklaron me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë.”.

Neni 28 i ligjit nr. 96/2016, heq cdo dyshim që një gjyqtar i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë të ushtrojë funksionin. Në mëyrë specifike kjo dispozitë përcakton si kriter për emërimin gjyqtar, sa më poshtë: d) nuk është dënuar me vendim penal të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, që, për shkak të natyrës së veprës së kryer, diskrediton pozitën dhe figurën e gjyqtarit ose prokurorit ose dëmton rëndë besimin e publikut në sistemin gjyqësor, pavarësisht nëse është rehabilituar sipas parashikimeve të Kodit Penal.”. I njëjti ligj, në nenin 162, pika 1, parashikonte se gjyqtarët e Gjykatës për Krime të Rënda, ku shërbente si gjyqtare znj. Irena Gjoka, do të vazhdonin të qëndronin në detyrë si pjesë e gjykatës së posacme, përveç rasteve kur ekzistonin shkaqe për përfundimin e statusit të magjistratit.

Gjithashtu, edhe ligji nr. 138/2015 dhe vendimi i Kuvendit nr. 17/2016, sanksionojnë qartësisht se: “Pasqyrimi i të dhënave të rreme në këtë Formular përbën vepër penale dhe dënohet me burgim sipas nenit 190 të Kodit Penal. Pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në këtë Formular dhe refuzimi i depozitimit të gjurmëve daktiloskopike, passjell skualifikimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funksionit publik.”.

 

Bazuar në dispozitat kushtetutese dhe ligjore të sipërcituara, si dhe në konfirmimin e bërë zyrtarisht nga Prokurori i Përgjithshëm, mbi faktin se gjyqtarja e posacme znj. Irena Gjoka rezulton e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, fakt të cilin ajo e ka mbajtur të fshehur dhe nuk e ka deklaruar në disa dokumente zyrtare, sic e kishte detyrim, e vendos atë jo vetëm përpara kryerjes së veprës penale të parshikuar në nenin 190 të Kodit Penal, por mbi të gjitha në pamundësinë kushtetutese dhe ligjore për të ushtruar funksionin kushtetutes të gjyqtarit të Republikës.

Përkatësisht, ajo ndodhet në kushtet kushtetuese dhe ligjore ku Këshill duhet të deklarojë me vendim mbarimin e statusit të magjistratit apo kur Inspektori i Lartë i Drejtësisë duhet të kërkojë shkarkimin nga detyra për “sjellje që diskretitojnë rëndë figurën e gjyqtarit”. Ky konstatim duhet të kishte ndodhur, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë/papajtueshmërisë, por deri më tani Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, nuk kanë vepruar, edhe pse Prokurori i Përgjithshëm prej muajsh publikisht dhe në seancat dëgjimore në Kuvendin e Shqipërisë ka informuar se fakti i dënimit ishte konfirmuar nga autoritetet përkatëse greke.

Në këtë kuptim, në emër të deputetëve të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehim shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor. Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cenuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar.

Ndër të tjera, kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Gjykatës së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar. Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit. Një gjyqtar i Republikës, që rezulton i dënuar dhe që përpiqet ta fsheh, duke mos e deklaruar këtë dënim, në vlerësimin tonë kryen edhe një sjellje që diskrediton pozitën dhe figurën e magjistratit dhe dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor.

Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së institucioneve kushtetuese të drejtësisë dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në punën Tuaj, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, kontrollit kushtetutes mbi zbatimin e ligjit, si dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë që të veprojnë në kohë, menjëherë, për të zbatuar detyrimin kushtetues dhe ligjor, të konstatimit të mbarimit të statusit të magjistratit për gjyqtaren e posacme znj. Irena Gjoka. Për më tepër, pas përfundimit administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm dhe njoftimit të rezultateve Këshillit të Lartë Gjyqësor, ky i fundit sipas nenin 66 të ligjit nr. 96/2026, duhet të deklarojë me vendim mbarimin e statusit të magjistratit, jo më vonë se 2 javë nga marrja e njoftimit për shkakun e pazgjedhshmërisë dhe papajtueshmërisë.

Përsa më lart, çdo vonesë nga ana juaj shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë, besimin e qytetrëve tek institucionet e pavarur të drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar. 

Ora 15:37
Prokuroria e Përgjithshme provoi dënimin e gjyqtares Irena Gjoka/ Grupi Parlamentar i PD shkresë zyrtare SPAK: Hetoni pa vonesa

1761589415_partiademokratike.jpg

Pasi Prokuroria e Përgjithshme provoi dënimin e gjyqtares Irena Gjoka, ka ardhur një reagim nga Grupi Parlamentar i PD, i cili përmes një shkresë zyrtare drejtuar SPAK kërkon që çështja të hetohet pa vonesa.

Në shkresën e firmosur nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, theksohet se mosdeklarimi i vendimit gjyqësor të dënimit dhe i urdhrave të dëbimit përbën jo vetëm papajtueshmëri ligjore, por edhe kryerje të përsëritur të veprës penale të falsifikimit.

 Sipas shkresës kjo situatë mund të sjellë pasoja të rënda për sistemin e drejtësisë dhe kosto financiare për shtetin shqiptar.

Kërkesa e plotë e Grupit Parlamentar të PD drejtuar SPAK:

Pasi Prokuroria e Përgjithshme konfirmoi sot se gjyqtarja e Gjykatës së Posacme Irena Gjoka rezulton e dënuar në shtetin grek dhe një fakt të tillë e ka fshehur në formularët e vetdeklarimit, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë së Posacme, përfundimin pa vonesa të hetimit të saj për veprën penale të falsifikimit të dokumenteve zyrtare.

Në shkresën e firmosur në emër të opozitës, nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Pd, Gazment Bardhi, thesohet se “përmes këtij konfirmimi të autoriteteve përgjegjëse rezulton se gjyqtarja Irena Gjoka, ndodhet në kushtet e papajtueshmërisë me funksionin kushtetues të gjyqtarit, në kuptim të nenit 6/1 të Kushtetutës, ligjit nr. 95/2016 dhe ligjit nr. 96/2016, si dhe ka fallsifikuar aktet, duke kryer një tjetër krim, në mënyrë të përsëritur, për shkak të mosdeklarimit të urdhër dëbimeve dhe vendimit gjyqësor të dënimit. Është e pashpjegueshme sesi ende sot Prokuroria e Posaçme zvarrit hetimin për këtë rast, duke vijuar devijimin nga parimi i barazisë përpara ligjit dhe duke lejuar vijimin e gjendjes së paligjshmërisë në sistemin gjyqësor.”.

Deputetët e opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, shprehin shqetësimin e thellë, për mosveprimin në kohë të Prokurorisë së Posaçme, që po sjell pasoja të rënda dhe të parikuperueshme në sistemin gjyqësor. “Cenimi i parimit të “gjykatës së caktuar me ligj”, është shkak i mjaftueshëm kushtetues për të cënuar çdo vendimmarrje të saj si gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar. Kjo ka pasoja të rënda për vetë sistemin e drejtësisë, për vetë punën e Prokurorisë së Posaçme, por mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda financiare për shtetin shqiptar.

Ky rast cenon edhe besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë dhe krijon pasiguri mbi vendimmarrjet e sistemit gjyqësor, duke cenuar integritetin e të gjithë sistemit.”- thuhet në letrën e firmosur nga Gazment Bardhi.

Në përfundim, opozita thekson se “Për këtë arsye, duke respektuar parimin e pavarësisë së sistemit gjyqësor dhe duke shmangur çdo ndërhyrje në çështje konkrete në hetim apo në punën e Prokurorisë së Posaçme, ne deputetët e opozitës në Kuvend, në përputhje me parimin e ndarjes dhe të balancimit të pushteteve, parimit të shtetit ligjor, dhe të përgjegjësisë sonë si deputetë për të mbrojtur interesin e shtetit shqiptar, kushtetutshmërinë dhe ligjshmërisë në sistemin gjyqësor, kërkojmë nga ana e Prokurorisë së Posaçme që të veprojë në kohë, pa vonesa të mëtejshme, me paanësi dhe në përputhje me parimin e barazisë përpara ligjit, për hetimin brenda një afati të arsyeshëm të këtij rast.

Çdo vonesë nga ana juaj për përgjegjësinë penale apo nga organet e tjera kushtetuese për përgjegjësinë administrative, shkakon pasoja të rënda për interesin publik, për vetë sistemin e drejtësisë dhe për interesat financiare të shtetit shqiptar.”.