Një arritje të shtetit shqiptar e ka quajtur avokati Spartak Ngjela, Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në një lidhje skype për emisionin “Frontline Interview” në Report Tv teksa komentoi raportin e DASH për Shqipërinë.
“SPAK arritje e madhe e shtetit shqiptar. Duhet të kuptojmë se ai është hetim dhe hetimet janë sekret. Duhet të kuptojmë se të gjitha ato pika që me të drejtë keni vendosur në skedë janë aspektet e veçanta të korrupsionit në Shqipëri. Prokuroria e Posaçme ka ngecur te hetimi.
Çështja ka mbetur te hetimi, nuk dimë gjë sesi po shkon. Pa arritur këtë sukses anti korrupsion gjithmonë do ta vuajë shoqëria shqiptare. Në këto momente po presim goditjen”, tha avokati në intervistën me gazetaren Marsela Karapanço.
Prokuroria, gjykatat kanë qenë të korruptuara, tha avokati, prandaj u krijua SPAK.
“Prokuroria dhe gjykata kanë qenë institucione të korruptuara por reforma andej nuk mendohej se e ka eliminuar korrupsionin. Fakti që nuk mendohej se eliminohej korrupsioni doli SPAK. SPAK është krijim artificial në kuptimin e mirë të fjalës. Kushtetuta aktuale e Shqipërisë nuk lejon që të kemi gjykata speciale. Po këto që janë krijuar janë speciale, jo. Sepse prokuroria speciale ka lidhje me prokurorinë e përgjithshme.”
I pyetur për sulmet e kreut të PL Ilir Meta ndaj SPAK u shpreh se i sheh si thirrje për ta ndihmuar.
“Kjo është mbrojtje publike e Metës. Pas kësaj vjen thirrja që i bën shoqërisë për ta ndihmuar që të bëjnë tubime. Do vemi apo jo deri atje nuk e di. Kështu e kanë bërë të gjithë ata që e kanë përdorur këtë metodë. Humbja e ekuilibrit të Metës ose nxitimi për akuza kuptohet që e ka humbur qartësinë jo nga frika por nga impresioni i brendshëm që i sjell mundësia se mund të akuzohet për një krim. Akuza të krijon një impakt psikik. Shikoni të gjithë perëndimin, nuk mund të shkojë njeri në një gjyq penal i pa mbrojtur nga një avokat”.
Për Sali Berishën që shkeli masën e arrestit shtëpiak, duke pranuar në shtëpi një grup xhirimi nga emisioni “Report” në Rai 3, tha se mund të ketë marrë leje.
“S’ma ha mendja të jetë pa leje. E di pse e them. Sepse në një arrest shtëpie nuk je i lirë të lëvizësh, kush të detyron? Ka mbrojtje. Ka policë. Si i ka kaluar policit ai kur është te dera. Kam përshtypjen se ka leje.”
“Berisha është në arrest shtëpie, sepse nuk ka nevojë për një hetim të specializuar sepse është flagrancë. Edhe ky është arrestuar sepse është kapur në flagrancë për korrupsion”, shtoi ai.