TIRANE- Leja ndërtimore e kompleksit “Jon” në Vlorë, sipas burimeve të prokurorisë ka dalë “Nul” që në momentin kur për këtë çështje, janë konstatuar shkelje të rënda dhe se sot para gjykatës është dërguar një person i pandehur që është ish-drejtuesi i Urbanistikës në bashkinë Vlorë Odhise Zoto. Sipas prokurorëve, por edhe juristëve kjo lejë tashmë konsiderohet si e paligjshme pasi është dhënë në kundërshtim me rregulloren e urbanistikës dhe planin rregullues të vitit 1996. Nisur nga kjo situatë, e gjithë procedura ligjore që është ndjekur për këtë rast, rezulton të jetë nul dhe e paligjshme.

Pikërisht nëpërmjet kësaj skeme, ministria e Transportit dhe INUK, kërkojnë të shembin kompleksion “Jon”, pasi prokuroria e Vlorës ka arritur të gjejë shkeljet konkrete, dhe se për këto shkelje të bëjë deri në këto momente përgjegjës një person. Ajo që pritet tashmë, të paktën sipas deklaratës së zv/ministrit të Transporteve është sigurimi i një fondi financiar për shpronësimin e banorëve që kanë blerë apartamente në këtë pallat. Manjani, paralamëroi se procedura e pastrimit të zonës ku është ndërtuar kompleksi “Jon”, ka nisur prej disa kohësh. Kjo pasi pjesa më e madhe e objektit është ndërtuar në ujin e detit.

Shkrimi u publikua sot (29.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)