TIRANE- Djali i Umberto Bossit, Renzo Bossi i cili ka përfituar një diplomë nga Universiteti Kristal rezulton të jetë regjistruar në këtë universitet për vitin akademik 2007-2008, por ai s’e ka prekur qoftë dhe një herë të vetme tokën shqiptare. Këto janë të dhënat e para të hetimit të prokurorisë së Tiranës, burimet e të cilës konfirmuan për Shqiptarja.com se sot është regjistrur si cështje penale rasti i diplomës së djalit të Umberto Bossit

Prokurorë nga Njësia e Task Forcës së Prokurorisë së Tiranës kanë qënë sot në ambjentet e Universitetit Kristal ku kanë sekuestruar dokumentacionin e shkollës prej ku kanë konstatuar se Renzo Bossi është regjistruar si student pranë këtij Universiteti në vitin akademik 2007-2008 sipas legjislacionit në fuqi.

Bossi rezulton i regjistruar në këtë Universitet me numer amze 482, dhe është diplomuar për Menaxhim-Biznesi, dega Ekonomik në datën 8 Tetor të 2010

Por të njëjta burime sqarojnë gjithashtu se nga verifikimi i hyrje-daljeve në Shqipëri duke u bazuar në sistemin TIM-S të instaluar në të gjitha pikat kufitare në vend rezulton se djali I Bossit nuk e ka prekur asnjëherë tokën shqiptare.

Pra ai është pajisur me diplomë nga ‘Kristal” pa qënë i pranishëm asnjehërë ne auditorët e këtij universiteti. Cka do të thotë se ai s’ka qënë asnjëherë I pranishëm në tre vitet e stduimit në këtë universitet që prej kohës së regjistrimit të tij në 2007 deri në marrjen e diplomës në 2010.

Burime të prokurorisë thonë se këto janë të dhëna që mund të cojnë drejt akuzës penale atë të falsifikimit të dokumentave zyrtare për drejtuesit e Universitetit.

Shqiptarja.com publikoi e para në vend skandalin e diplomës të dyshuar “false” të djalit të Bossit nga Universiteti Kristal.

Por burime nga organi I akuzës pohojnë se rrënjët e këtij skandali mund të jenë më të thella, cka do të thotë se me këtë mënyrë kundrejt shumave të konsiderueshme mund të jenë pajisur më diplomë dhe studentë të tjerë shqiptarë pa e frekuentuar fare Universitetin.
(ns/shqiptarja.com)