DURRËSPas skandalit në Kadastrën e Durrësit, Prokuroria ka nisur hetimet. Kjo lëvizje e prokurorisë vjen menjëherë pas denoncimit të bërë nga vetë kreu i Kadastrës, Artan Lame. Lame tha se nga të gjitha dosjet e marra nga Kadastra e Durrësit vetëm 15 % e tyre janë pa probleme, ndërsa pjesa tjetër e regjistrave kanë rezultuar me faqe që mungojnë, të grisura madje edhe shumë të dubluara që tregojnë se për një pasuri janë ndjekur dy rrugë të ndryshme legalizimi apo kthimi te pronari duke sjellë abuzime shumë të mëdha.

"Nisur faktet e bëra publike në media për kontrollin e ushtruar në Kadastrën e Durrësit dhe konstatimin e dëmtimeve në regjistrat e pasurive të paluajtshme të regjistruara në zonën bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 582, datë 01.04.2022 për veprat penale të parashikuara nga nenet 186 e 248 te Kodit Penal. Me urdhër të drejtueses së prokurorisë është krijuar një grup hetimor i përbërë nga prokurore dhe oficerë të policisë gjyqësore për hetimin e plotë të çështjes", njoftimi i plotë.

Shkrirja e kadastrës së Durrësit dhe nisja e hetimeve të thelluara për abuzimet që janë bërë atje në 32 vite kanë nxjerrë një raport me shkeljet e detajuara që janë zhvilluar. Në një raport 600 faqesh u vunë re se abuzimet janë përtej imagjinatës dhe zonat ku janë kryer paligjshmërisë dhe plaçkitjet më të mëdha janë ato bregdetare të Durrësit si Plazh, Spitallë, Lalëz, Draç, Rodon, etj. 

Për skandalin e Kadastrës së Durrësit reagoi edhe ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila tha se është pritje të drejtësisë që të marrë masat e duhura për përgjegjësit. Kim tha se duhet bërë më shumë transparencë lidhur me pronat në Shqipëri. Kjo sepse sipas diplomates, do të ndikonte që në Shqipëri të thitheshin më shumë investime, por do të ishte edhe një tregues i qartë që kërkojmë integrimin në BE.