Sipas organit qendror të hetimit Prenga dyshohet se ka konsumuar tre vepra penale, atë të të armëmbajtjes pa leje, plagosje e rëndë me dashje dhe kanosje serioze për jetën.
Në kërkesë derguar kuvendit të Shqipërisë prokuroria rendit argumentet të cilat çuan në arrestimin e deputetit. Ndryshe nga policia, Prokuroria e Përgjithshme thotë se ka dyshime të mjaftueshme se Prenga gjatë konfliktit me pjesëtarë të familjes Cali ka përdoruar armën e zjarrit tip pistoletë, armë kjo të cilën sipas akuzës ai e mbante pa leje. Prenga ka dëmtuar me armë shëndetit e Tom Cali, thotë Prokuroria, duke qëlluar mbi të. Ndërsa me veprimin e tij të nxjerrjes dhe drejtimit të armës ndaj shtetasve që shoqëronin Gjergj Cali para Komisariatit të Policisë Kurbin, me bashkëpunimin e disa personave të tjerë, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Kanosje”, në bashkëpunim.
Bazuar në këto argumente prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga.
Kerkesa zyrtare e Prokurorise se Pergjithshme per Kuvendin
Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për arrestimin e deputetit Armando Prenga
Prokuroria e Përgjithshme i kërkon Kuvendit të Shqipërisë autorizimin për arrestimin e shtetasit Armando Prenga, me funksionin “Deputet”, i dyshuar për konsumimin e elementëve të veprave penale; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, “Plagosje e rëndë me dashje” dhe “Kanosje”, të parashikuara nga nenet 278/4, 88, 84 e 25 të Kodit Penal.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Prokurori i Përgjithshëm, z. Adriatik Llalla, është shprehur se, nga provat e administruara deri në këtë fazë të hetimit, rezulton se deputeti Prenga dyshohet se ka konsumuar elementët e veprave penale të sipërcituara gjatë një konflikti me disa shtetas të tjerë, ngjarje e ndodhur në mesnatën ndërmjet data 04.09.2015-05.09.2015, në qytetin e Laçit.
Gjithashtu, në kërkesën për autorizimin e arrestimit, theksohet gjithashtu se deputeti i Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga dyshohet se ka kryer vepra penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore dhe që parashikohen si krim nga Kodi Penal.
Në bazë të veprimeve të deritanishme hetimore, Prokuroria e Përgjithshme ka krijuar dyshimet e arsyeshme për kryerjen e veprave penale nga ana e deputetit Prenga, në bazë të argumentave si më poshtë:
- Me veprimin e tij të mbajtjes dhe përdorimit të armës së zjarri tip pistoletë, armë kjo tjetër nga ajo për të cilin është pajisur me leje nga organet kompetente, gjatë konfliktit të ndodhur në mjedisin publik para Komisariatit të Policisë Laç, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”, parashikuar nga neni 278/4 Kodit Penal.
- Me veprimin e tij të dëmtimit me armë të shëndetit të shtetasit T.C, duke qëlluar mbi të, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Plagosje e rëndë me dashje”, parashikuar nga neni 88 i K.Penal.
- Me veprimin e tij të nxjerrjes dhe drejtimit të armës ndaj shtetasve që shoqëronin shtetasin GJ.C. para Komisariatit të Policisë Kurbin, me bashkëpunimin e disa shtetasve të tjerë, deputeti Armando Prenga ka konsumuar elementët e veprës penale “Kanosje”, në bashkëpunim, parashikuar nga neni 84 e 25 i K.Penal
Për këtë arsye, me qëllim për t’i hapur rrugë një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm nga Prokuroria, bazuar në nenin 73/2 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, si dhe nenin 288 të Kodit të Procedurës Penale, kërkohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhënia e autorizimit për arrestimin e deputetit të Kuvendit të Shqipërisë Armando Prenga.
Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)