Prokuroria e Përgjithshme ka reaguar sot pasdite pas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, Nasip Naço, në Komisionin e Ligjeve.
Me anë të një njoftimi për shtyp, organi qendror i akuzës vlerëson raportin e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë.
"Nga inspektimi i kryer nga Ministria e Drejtësisë në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Sarandë rezulton se, nga 800 procedime objekt inspektimi, vetëm 57 prej tyre, sipas konkluzioneve të inspektorëve, rezultojnë me problem. Pra, efektshmëria e Prokurorisë, sipas përfundimeve të Ministrisë së Drejtësisë është 94 përqind", thuhet në njoftim.
"Lidhur me konstatimin si problematike të faktit që Prokuroria nuk ka ndjekur orientimin e politikës penale, të sugjeruar nga ana e Këshillit të Ministrave, për dënimet alternative për veprat penale me maksimum dënimi deri në 5 vjet, Prokuroria e Përgjithshme argumenton se, ky rekomandim për politikën penale është parë në mënyrë alternative nga ana e Prokurorisë për disa vepra penale specifike. Më konkretisht, për veprat penale të "vjedhjes së energjisë elektrike"; "ndërtimet pa leje" dhe "drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt", vijon reagimi.
"Prokuroria ka vlerësuar se për këto vepra të sipërcituara të ndiqet një politikë e ashpër penale, pavarësisht se marzhi i dënimit nuk është shumë i lartë, për faktin se konsumimi i këtyre veprave penale kanë ndikim negativ në ekonominë kombëtare", mbyllet reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Gjatë paraqitjes së raportit, ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, pohoi se politika penale e qeverisë nuk respektohet thuajse fare, ndërsa evidentoi probleme të rënda të konstatuara gjatë kontrolleve në Sarandë, Durrës dhe Shkodër. /ATSH/