TIRANE- Prokuroria do të marrë sërish në pyetje Nazime Vishën, 18 vjeçaren që më 13 gusht vrau 45 vjeçar Fiqiri Muça, të cilin ajo e akuzon si përdhunuesin dhe përndjekësin e saj. Përtej pretendimeve të vajzës së re, prokuroria ka dyshime dhe hetuesit mendojnë se ngjarjet mund të jenë zhvilluar në një tjetër mënyrë ,ndryshe nga ç'pretendon Nazime Visha.

Elementi i parë dhe ai më kryesor në të cilin janë përqëndruar hetuesit janë mesazhet telefonike. Aktualisht janë administruar rreth 250 sms të bëra publike dhe në media të dërguara në periudhën Janar-Maj 2011 nga një numër AMC drejt numrit telefonik të Fiqiri Muçës. Nga familjarët e Muçës u pretendua se këto sms janë dërguar nga ana e Nazime Vishës. Kjo e fundit e mohoi këtë fakt madje pretendoi se nuk kishte telefon fare dhe se në fshatin Vilëz nuk ka valë telefoni.

Në fakt në fshatin Vilëz në Zall Bastar ka valë telefoni, ky fakt është verifikuar. Së dyti sms-të janë dërguar në një interval kohor kur Nazime Visha me ndihmën e familjarëve po përpiqej të fejohej me një djalë tjetër. Prokuroria ka administruar dhe dy numra të tjerë telefonikë me të cilët dyshohet se Nazime Visha ka komunikuar me Muçës nga muaji Maj e në vazhdim.

HETIMI
Hetuesit kanë administruar numrin telefonik të Fiqiri Muçës. Rezulton nga tabulatet se ai ka patur në këtë periudhë shumë këmbime sms me dy numra Vodafone nga muaji Maj e në vazhdim. Telefoni i Muçës është dërguar dhe për ekspertim në laboratorin shkencor në një përpjekje për të rikuperuar të gjitha sms-të e mundshme. Hetuesit dyshojnë se Nazime Visha ka vazhduar të komunikojë me Fiqiri Muçën edhe pas muajit Maj, muaj në të cilin fejesa e saj u prish, e që sipas Nazime Muçës shkaku ishin presionet që Fiqiri Muça i bënte të fejuarit të saj. Por hetuesit kanë hasur në shumë mospërputhje edhe në lidhje me disa detaje të tjera të rëndësishme. Së pari nga dëshmitë e mbledhura deri më tani, vërtetohet fakti se të paktën prej një viti Nazime Visha dhe Fiqiri Muça kanë patur marrëdhënie mes tyre. Dëshmitë e mbledhura dhe hetimi nuk ka mundur të vërtetojë deri tani një lidhje katër vjeçare, sikurse pretendon 18 vjeçarja. Madje shumë prej familjarëve të Vishës dhe Muçës kanë marrë vesh për lidhjen në muajin Maj, kohë kur u pretendua dhe rrëmbimi i Nazimes.

RREMBIMI
Oficerët e policisë gjyqësore që po hetojnë rastin e Nazime Vishës kanë dyshime në lidhje me situatën në të cilën u largua nga shtëpia Nazimja në muajin Maj sëbashku me Fiqiriun. 18 vjeçarja e ka interpretuar atë ngjarje duke pretenduar se është rrëmbyer dhe është kërcënuar. Por policia nuk ka identifikuar deri më tani asnjë vend banesë apo godinë të braktisur ku të jetë mbajtur Visha. Asnjë dëshmitar që ta ketë parë Vishën në kushtet e përshkruara prej saj. Një tjetër element i dyshimtë lidhet me natën e vrasjes së Fiqiri Muçës. Taksisti që e çoi Muçën në Krrabë ka treguar se Muça ka telefonuar shumë shpesh me një femër, madje ka përmendur dhe emrin e Nazimes gjatë bisedave. Hetuesit e kanë identifikuar numrin që ka telefonuar Fiqiriu atë natë dhe ky numër nuk është numri i gjyshit të Nazimes, por është një numër i tretë telefonik i dalë nga verifikimi i tabulateve.

(Lajmi u publikua ne oren 08: 30 dhe u përditësua në orën 14: 39)
(sg/shqiptarja.com)