Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur dy aktakuza për B. Q. nga Mitrovica dhe K. P. nga Lipjani, pranë dy gjykatave të ndryshme, atë Themelore të Mitrovicës dhe atë Themelore të Prishtinës, për terrorizëm në vendet e huaja.

Mbi të akuzuarin nga Mitovica rëndon akuza për propagandë në rrjetet sociale duke postuar materiale audiovizuale dhe fotografi. I akuzuari nga Mitrovica ka shpërndarë edhe foto kërcënuese në “Facebook” në nëntor të vitit 2017. Edhe i pandehuri tjetër nga Lipjani, sipas aktakuzës në të njëjtat rrethana ka propaganduar në mbështetje të ISIS-it.

Të dy akuzohen se kanë kryer veprën penale të “bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj”, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës, të parashikuara nga neni 3 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 3 të Ligjit Nr. 05/L-002, për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit.

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com