Në kuadër të "Javëve të Biznesit Kosovar" Aleanca Kosovare e Biznesit ka ekspozuar produkte të bizneseve vendore.

Sipas KosovaPress, në panair u theksua se ka filluar vetëdijësimi i konsumatorëve për konsumim të produkteve vendore, por nevojitet edhe më shumë.
Kur u fol për zhvillimin ekonomik, u vlerësua se ngërçi politik ka ndikuar negativisht në këtë fushë.

Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanovcit u bëri lutje përfaqësuesve të institucioneve të Kosovës që sa më shpejt të krijojnë institucionet.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka thënë se AKB-ja në rrugëtimin e vet 12 vjeçar ka një synim dhe një mision, e në këtë mision ai ka thënë se nuk ka qenë vetëm por kanë qenë mbështetës edhe bizneset kosovare. Sipas tij "konsumi i prodhimeve vendore çon Kosovën drejt zhvillimit ekonomik".

Më tej, ai ka thënë se prodhimi vendor është ai që e rrit zhvillimin ekonomik në vend dhe krijon vende të reja të punës.

Shahini kërkoi nga sindikata e bizneseve private që të ngrenë zërin më shumë duke u dalë në ndihmë bizneseve.

Ai kërkoi që të bojkotohen të gjitha produktet e huaja, përderisa ato produkte mund të zëvendësohen me produkte tona.

Ndër të tjera, Shahini ka thënë se paralajmërimi i uljes ekonomike në nivel vendi e ka shqetësuar tej masë atë dhe ka thënë se kjo i adresohet politikave jo të mira fiskale dhe ngërçit politik që ka bërë ngecjen ekonomike, duke shtuar se duhet të ketë reforma të reja në mënyrë që të ketë zhvillim ekonomik.

Enver Ferizaj, kryetar i agrobizneseve të Shqipërisë, ka thënë se nga ky panair presin një bashkëpunim mes shqiptarëve të rajonit. Më tej ai ka thënë se tashmë ka filluar ndërgjegjësimi i konsumatorëve edhe në Shqipëri të cilët po i konsumojnë produktet e Kosovës.

ATSH