TIRANË- Në kuadër të festimeve për 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë, Ambasada e Shqipërisë në Kroaci po zhvillon një sërë aktivitetesh.
Kështu, në hapjen e Ditëve të Kulturës Shqiptare në Zagreb, organizuar nga Unioni i Bashkësive Shqiptare në Republikën e Kroacisë dhe nën patronazhin e Ambasadës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Kosovës në Zagreb, u promovua monografia: ?Nënë Tereza - Nderime në trevat shqiptare?.
Në përshëndetjen e rastit, Ambasadori Melo theksoi se në këto ditë ne nderojmë përpjekjet dhe sakrificat e popullit shqiptar për liri, dinjitet dhe përparim dhe Nënë Tereza është një prej figurave të ndritura të shqiptarëve".
Me modesti njerëzore, tha z. Melo, "përmendim që ishim ne shqiptarët që i dhamë botës një Nënë dhe njëkohësisht me krenari dhe dinjitet pranojmë se ishte kjo Nënë e Shenjtë që u fali shqiptarëve gjithë botën e dashurisë".
Aktivitetet në ditët e kulturës shqiptare vazhdojnë në Zagreb deri më 28 Nëntor./ATSH/