/ATSH-Almarina Gegvataj/- Ikona e regjisurës dhe kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti i kthen sytë nga letërsia. Romani i kineastit Dhimitër Anagnosti, "Koburja nga Evropa", është promovuar sot  në ambientin e restorant "Piazza". Subjekti i romanit, ndonëse zhvillohet në atmosferën e pushtimit të Shqipërisë, në thelb është një roman psikologjik për fatin e gruas së izoluar dhe të mos-realizuar e që përfundon në krahët e të huajit, pushtuesit.

Një grua e vetmuar në fill të Luftës së Dytë Botërore diku në një fshat të jugut hidhet në krahët e pushtuesit. Ndërsa Shqipëria e ndarë në legalistë e nacionalistë rreket të sprapsë pushtuesin, një femër e gjendur fillikat bie në grackën e dashurisë me një prej ushtarëve italianë, që kanë ardhur këtyre anëve për të shtënë ndën kurorën e Viktor Emanuelit, tokat e anës tjetër të Adriatikut.

E martuar me mblesëri, vëllai i saj dhe i shoqi kanë emigruar, ndërsa ajo është lënë të mbajë shtëpinë, deri në rikthimin e pakohshëm të burrave. Veçse ajo, para se të jetë një shqiptare është një grua, është një femër. Në shtrat me armikun! Po mandej?

Lajmi i tradhtisë ia del të kalojë kilometrat që e ndajnë me të vëllanë, e të njëjtat kilometra, janë krejt të papërfillshme, kur vjen puna te ndikimi i Kanunit, zakoneve e traditave këtejpari. Nderi i humbur i së motrës e bën vëllanë të lërë emigrimin dhe të kthehet me furi i udhëhequr nga mëria, inati, fyerja për t'u hakmarrë ndaj një gruaje, të motrës.Ky është pak a shumë boshti që udhëheq një vepër të re letrare që ka parë dritën e botimit së fundmi.

Ikona e regjisurës dhe kinematografisë shqiptare i kthen sytë nga letërsia. Në prag të festave të fundvitit, Dhimitër Anagnosti ka publikuar romanin "Koburja nga Evropa", subjekti i të cilit, ndonëse zhvillohet në atmosferën e pushtimit të Shqipërisë, në thelb është një roman psikologjik për fatin e gruas së izoluar dhe të mosrealizuar që përfundon në krahët e të huajit, pushtuesit. Romani del për lexuesit nën siglën e botimeve "Naimi".

"Dhimitër Anagnosti shfaqet si mjeshtër i përshkrimit të shpirtit, ose më mirë të instinktit njerëzor, të atij pushteti misterioz që shpesh e tërheq njeriun atje ku ai vetë e kupton se nuk duhet të shkojë. Qasjet frojdiane mund t'i japin shpjegim dialogut të brendshëm, të çoroditur, marrëdhënieve të dhimbshme me të pamoralshmen të personazhit kryesor, Lenës së bukur, por fatzezë", shkruan prof.Floresha Dado.  E vënë në rolin e kritikes, Dado shënon se ajo çka e bën të rrjedhë, të gurgullojë stilin rrëfimtar është edhe fakti tjetër: krahas rrëfimit të drejtpërdrejtë, si dhe pleksjes së tij me përroin e rrëmbyer, që trondit së brendshmi personazhin, vijnë në ndonjë moment edhe notat e një lirizmi poetik si jehonë e lirikës popullore mbi bukurinë e femrës.

Romani "Koburja nga Evropa" mund të ngjallë një lloj diskutimi lidhur me boshtin kuptimor të tij: a është ai një roman për dramën që solli kurbeti në jetën e shqiptarëve, dje, apo dhe sot? Apo filozofia është më e thellë, lidhur me pushtetin e instinktit mbi vetëdijen e njeriut, në situata specifike? "Lexuesi është i lirë ta përjetojë si t'i vijë. Letërsia e vërtetë, që nuk e ka vlerën thjesht te volumi, por te filozofia që përcjell në mënyrë metaforike, ka aftësinë ta fusë atë në kurth. Sido që ta përjetojë, lexuesi ka të drejtë. Shkrimtari e hap veprën pikërisht për ta futur atë në kurthin e vet. Ky është emocioni i vërtetë artistik që Dhimitër Anagnosti e sjell befasishëm në prozën e sotme", - shkruan studiuesja Dado.
Dhimitër Anagnosti lindi në Vuno të Himarës, më 1936, ndërsa kreu gjimnazin "Ali Demi" në Vlorë. Studimet e larta i mbylli në Institutin Kinematografik VGIK të Moskës, ku u diplomua si operator dhe ku xhiroi si punë diplome filmin "Njeriu nuk vdes kurrë", ekranizim i tregimit të Hemingueit, që u vlerësua me Çmimin e Parë në festivalin e shkollave kinematografike në Holandë, më 1961.

Pas studimeve emërohet në Kinostudion "Shqipëria eRe", Tiranë. Krijimtaria e tij artistike si skenarist e regjisor është vlerësuar me shumë çmime kombëtare dhe ndërkombëtare: "Lulëkuqet mbi mure", skenarist, regjisor - Grand Pri-fest, Beograd, Medalje e Artë Xhifoni - Itali; "Përrallë nga e kaluara", skenarist, regjisor - Çmimi Bondy, Francë; "Në shtëpinë tonë" - Çmimi Special Xhifoni, Itali; "Kthimi i ushtrisë së vdekur", skenarist, regjisor; "Gjoleka, djali i Abazit", skenarist, regjisor - Çmimi Special në Med-film Festival, Romë 2006. Për t'u veçuar është çmimi "Il Lazio tra l'Europa e Mediterraneo", dhënë për Audiovizim në vitin 2006.

Për punën dhe krijimtarinë e tij, në vitin 1987 mori titullin e lartë "Artist i Popullit". Në tetor 2011, për kontributin e tij në kulturën dhe artin shqiptar u vlerësua me titullin "Nderi i Kombit".