Ish-drejtuesi i lartë i Policisë, Shemsi Prençi, është shprehur se pretendimi nga qeveria se investimi në Zvërnec do të kryhet në pronë private nuk qëndron, pasi sipas tij, një pjesë e madhe e zonës ku pritet të ndërtohet është tokë shtetërore.
Komentet Prençi i bëri në studion e emisionit ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report Tv, ku tha se investimi në Zvërnec kishte nevojë për më shumë transparencë, pasi sipas tij, mënyra sesi kryeministri Edi Rama i qasej qytetarëve, ishte e paqartë dhe e pabesueshme.
“Po s’ka projekt, siç thotë kryeministri, si ka para? Unë nuk e lexoj qartazi apo besueshëm mënyrën si qaset kryeministri para shqiptarëve. Së dyti, duke e njohur këtë pjesë të lagunës, kam parasysh se kryeministri ka thënë ‘zhvillimi i një prone private’, ndërkohë që nuk rezulton e tillë. Duhet të themi që gjerësia e brezit ranor varion nga 70-100 metra. Gjatësia e vijës bregdetare që është vënë në dispozicion të këtij projekti, është deklaruar edhe nga Ivanka Trump që është 5 milje, apo 7.6 km. Parë në këtë kontekst nuk mund të themi që kemi të bëjmë vetëm me pronë private. Brenda rrethimit ekzistojnë 2 monumente të natyrës. Lind pyetje kush ja ka dhënë të drejtën privatit që ta fusë në rrethim këtë pronë shtetërore? Si e ka marrë guximin qeveria që ka dhënë këtë pronë shtetërore?”, tha mes të tjerash Prençi.
Lajmi kryesor:
‘Zvërneci’/ Ministrja Ismailaj për Report Tv: Ku ishin ambientalistët në 2012 kur peshku gjuhej me dinamit dhe s’kishte asnjë flamingo? Duhet të jesh antishqiptar të kundërshtosh këtë investim






