Anisa Dine, vendosi që para 8 vitesh të hapë një biznes me rroba. Puna i eci mirë, por tashmë nuk ia del dot e vetme. Për t’i shërbyer më mirë klientëve, është në kërkim të një shitëse.

Ky njoftim është afishuar prej 2 muajsh, por ende nuk ka gjetur punonjësen që i përmbush kërkesat e pakta që ajo i shtron: Komunikim dhe qytetari.

“Sa ti informon për oraret, rregullat nuk paraqiten për herë të dytë...e çuditshme është se nuk e dinë se çfarë duan apo ju pëlqen. Për rrogën, njëherë ju pëlqen, njëherë jo, por më shumë është disiplina e punës që ju mungon...vajzat vijnë, nuk përshëndesin. Pyetja e parë është cilat janë turnet. Janë shumë të pa edukuara. Kur paraqitesh për punë është dhe ana estetike, por ju mungojnë. Vijnë për të kërkuar punë me barkun jashtë”, tregoi Anisa.

Si Anisa, ka edhe shumë të  tjera që janë në kërkim të punëtorëve. Gati në çdo biznes janë vendosur afishe njoftimi për vende të lira pune.

“Nuk është hera e parë që ne e vendosim. Ka shumë mungesë njerëzish. Vijnë për punë, mosha mbi 50 vjeç. Një grua 50 vjeç nuk e përballon fluksin e dyqanit që kemi ne. Për 6 orë e gjysmë e kemi 400 mijë lekë. Nuk ka njerëz, zero”, tha një tregtare.

Por ndryshe mendojnë të punësuarit. Paga është një nga shqetësimet më të mëdha, veçanërisht në këtë periudhë krize globale ku çmimet në Shqipëri janë rritur ndjeshëm.

“Kjo rrogë që është këtu nuk kënaqemi fare”, tregoi një i ri.

“Jam në punë prej gati 7-8 muajsh. Ekonomia, një e ardhme më e mirë të gjitha ndikojnë. Punoj shitëse. Nuk është rroga e kënaqshme, por meqë kam shkollën afër”, tha një e re. 

Edhe për ekspertët e punësimit, paga është dera e parë që e afron apo e largon të interesuarin për punë.

“Çdo pagë që nuk është në një nivel të arsyeshëm dhe që lidhet me vështirësitë e jetesës, përbën një punë që nuk preferohet. Edhe tendenca e largimit të të rinjve jashtë vendit lidhet me mungesën e punëtorëve. Të rinjtë po bëhen dhe më kalkulativ dhe analitik, pasi synojnë të gjejnë një punë që lidhet me investimin që kanë bërë tek vetja”, tha eksperti i punësimit, Erion Muça.