Pronat, 12 familje: S'dalim nga
shtëpitë, Përmbarimi: Lirojini

TIRANE - Banorët e 12 familjeve që banojnë prej 22 vjetësh pranë “21 Dhjetorit” në godinën e ish-çerdhes nr. 36 rrezikojnë të nxirren jashtë.  Nëpërmjet një vendimi Zyra e Përmbarimit i detyron ata që brenda orës 09:00 të ditës së sotme të lironin shtëpitë në të kundër do të ndërhyhej me forcë. I vendosur nën presionin e protestës së banorëve, por dhe medias e cila ndoqi hap pas protestën  përmbaruesi nuk ekzekutoi vendimin. Ndërkohë që banorët thonë se janë në proces gjyqësor dhe në seancën e 15 janarit, gjykata do të shqyrtojë kërkesën e 67 banorëve për rrëzimin e vendimit për lirimin nga banesa.
Protesta e banorëve nisi që prej orë 08:00 të mëngjesit të sotëm dhe vazhdoi për disa orë duke u shoqëruar dhe me tension mes banorëve dhe përmbaruesit. 
Në mbështetje të tyre, sot paradite është gjetur dhe deputetja socialiste Vasilika Hysi, por dhe socialisti Erion Koka, kryetari i minibashkisë nr 7.

Godina e ish-çerdhes, ku banojnë 12 familjet kërkohet t'u kthehet ish-pronarëve sipas aktit normativ të miratuar nga qeveri për kthimin e godinave të ish pronarëve.  Familjet pretendojnë se ata janë banorë të ligjshëm të godinës e cila sipas tyre ishte godinë shtetërore dhe nuk ka fuqi akti normativ i qeverisë për lirimin e banesave të ish pronarëve. Ata pretedojnë se zonja Nadire Qinami dhe fisi i Xhepave, kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, duke u bërë ish- pronarë,  dhe për këtë prej 4 vitesh janë në proces gjyqësor me ta.

"Do kërkojmë sqarime nëse kjo pronë është e ish-pronarëve, nëse nuk kanë dokumente asnjë hap nuk do bëhet më tej. Të na bindin ne do diskutojmë. Nëse do të përdorin forcën në kundërshtim me ligjin do të ndjekim bazën ligjore”-deklaronte një banor i godinës në një prononcim për Tv A1 Report.
 
“Jam pronar i ligjshëm me proces legalizimi, nëse do ndërhyjë me forcë, do përgjigjem me forcë. Është turp, që sot në 2013 të zbatohet forca”- thotë një banor tjetër ndërsa shton: "Jemi pa gjumë tërë natën. Kemi 4 vite që jemi në procese gjyqësore".

Banorët bëjnë apel për ndihmë pasi nuk kanë ku të shkojnë, ndërkohë që nuk mund të përfitojnë as kredi të butë nga bankat, si të pastrehë.

Rreth orës 11:00 një përfaqësues i Zyrës së Përmbarimit  Privat u paraqit tek banorët. Mes përmbaruesit dhe banorëve ka pasur konflikt verbal. Pasi ka plotësuar një procesverbal është larguar nga zona pa dhënë detaje të mëtejshme se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e banorëve të ish-çerdhes nr. 36.

Të 12 familjet banojnë prej 22 vjetësh në një godinë 1-katëshe me sipërfaqe 1500 m.2. Banorët u shprehen dje se kanë në dispozicion një sasi të konsiderueshme lënde eksplozive të vendosur pranë bombolave të gazit dhe nuk kishin ndërmend të lironin godinën për sa kohë nuk i gjendej një zgjidhje.

CFARE NDODHI PARADITEN E SOTME


BANORET: NADIRE QIMANI KA FALSIFIKUAR DOKUMENTET
Ora 11:30 Përfaqësuesi i Përmbarimit ka plotësuar një formular, ku banorët deklarojnë se janë kundër lirimit të banesave. Namik Manushi deklaron se zonja Nadire Qinami dhe fisi i Xhepave kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë. Manushi sqaron se banorët janë në proces gjyqësor prej 4 vjetësh dhe më datë 15 janar është seanca tjetër, ku do të shqyrtohet kërkesa e banorëve për pezullimin e vendimit të gjykatës.

Namik Manushi: Ky objekt nuk është pjesë e aktit normativ por një falsifikim i dokumenteve të Nadire Qinamit dhe fisit të Xhepave.
Përfaqësuesi: Për këto që po thua mban përgjegjësi (shkruan).
Namik Manushi: I kam letrat këtu, përgjigjem kur të duan. Këta banorë janë në proces gjyqësor prej 4 vjetësh për problemin e pronës dhe kërkesën për pezullimin e vendimit e kemi më datë 15. Më datë 31 rrëzoi kërkesën e sigurisë së padisë.
Përfaqësuesi: Je pro aktit apo kundër?
Namik Manushi: Jam pro aktit të qeverisë, shteti të nxjerrë dokumentacionet. Çfarë dokumenti ka Nadire Qinami që ka këtë pronë? Ka blerë 43 metra ka rregjistruar 203 metra.
Përfaqësuesi: Ikni në Gjykatë.
Namik Manushi: Në gjykatë jemi.

Përfaqësuesi i Përmbarimit është larguar nga zona, pa zbatuar vendimin për lirimin e banesave për 12 familjet dhe pa dhënë detaje të mëtejshme se çfarë do të ndodhë me shtëpitë e banorëve të ish-çerdhes nr. 36.

TENSIONE MES BANOREVE DHE PERFAQESUESIT TE PERMBARIMIT
Ora 11:20 Përfaqësuesit e Përmbarimit kanë mbërritur për të zbatuar vendimin e Gjykatës, nxjerrjen jashtë të 12 familjeve. Përfaqësuesit e Përmbarimit janë konfliktuar verbalisht me banorët, të cilët pretendojnë se dokumentet janë falsifikuar dhe objekti ku jetojnë ka qenë objekt shtetëror.

Përfaqësuesi: Kemi vendim gjykate, na lejoni të shikoj pronën.
Banorët: Nuk ka vendim gjykate, ka qenë objekt shtetëror jo banesë, objektet shtetërore nuk i shkojnë ish-pronarëve, janë falsifikuar pronat.
Përfaqësuesi: Shkoni tek Enti i Banesave ankohuni.
Banorët: Nuk e kap akti normativ.
Përfaqësuesi: Nuk është dosja e parë që po bëj me Entin e Banesave është dosja e 3. Shko tek Bashkia dhe zëri derën.
Banorët: Na ka thënë që nuk iu nxjerr njeri jashtë.
Përfaqësuesi: Me llafe apo letra, ku e keni letrën?

PS, VASILIKA HYSI: AKTI TE MOS ZBATOHET, FAMILJET TE MOS NXIRREN JASHTE 
Ora 09:30
Deputetja socialiste e kësaj zone Vasilika Hysi kërkoi të mos zbatohet akti normativ dhe organet kompetente të vërtetojnë nëse aktet e marrjes së pronësisë janë të drejta.

“Kalimi i truallit në disa duar është bërë me prova dhe dokumente të falsifikuara. Qytetari i ndershëm humb. Akti normativ të mos zbatohet, organet kompetente të vërtetojnë nëse aktet e marrjes së pronësisë janë të drejta. Akti normativ është normativ por është dhe aspekti social. Ku mund të strehohen këta familje, në kushte kur nuk kanë mundësi të përfitojnë as kredi të butë. Nuk jam këtu për politikë, jam deputete në zonë, jam bashkë me kryetarin e këshillit bashkiak, në pamundësi për të ofruar një ndërtesë të përkohshme”- deklaroi deputetja socialiste Vasilika Hysi.

ERION KOKA: BANORËT NUK PËRFITOJNË KREDINË E BUTË

Ora 09:35 Kryetari i minibashkisë nr 7, Erion Koka thotë se banorët nuk mund të flaken jashtë. “Çdo akt normativ është bërë për të përfituar një grup personash. Ne shikojmë anën sociale, dhe këta persona ngelen jashtë. Nuk mund tu thuash që ke kredinë zero, ndërkohë që ata kanë shkuar në banka dhe u është thënë se nuk e përfitojnë këtë kredi.

BANORET: DALIM NE QIELL TE HAPUR
Ora Të 12 familjet banojnë prej 22 vjetësh në një godinë 1-katëshe me sipërfaqe 1500 m.2. Para Vitit të Ri nëpërmjet një shkrese të firmosur nga Baftiar Nela, përfaqësues i një Zyre Përmbarimi privat, u ka dërguar një shkresë me objekt lirimi dhe depozitimin e banesave pronarëve të ligjshëm, nga qytetarët e pastrehë, banues në banesat e ish pronarëve e subjekteve të shpronësuara. Afati i lirimit ishte ora 09:00 e paradite së sotme. Një shkresë e tillë që kërkonte lirimin e banesës është dërguar edhe një herë tjetër para Vitit të Ri.

Redaksia online
(sg/eç/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë