Pronat, si do kompensohen
në para apo fizikisht, vendimi

Pronat, si do kompensohen<br />në para apo fizikisht, vendimi
TIRANË - Në një nga Vendimet e Këshillit të Ministrave përcaktohen me hollësi hapat që do të ndiqen pas pranimit të pretendimit të pronarit, deri tek mbyllja e procesit. Agjencia e Trajtimit të Pronës do të marrë në shqyrtim të gjitha vendimet e mëparshme për kompensimin e pronës, duke bërë një vlerësim, por sipas kritereve të reja. Ky vlerësim do të bëhet duke u bazuar në vlerat e përcaktuara në hartën më të re të vlerës, në bazë të zërit kadastral që ka patur prona në kohën e shpronësimit.

Vlerësimi mund të vijojë duke përcaktuar diferencën e vlerës së pjesës që është kthyer tashmë, gjithnjë sipas zërit kadastral aktual dhe vlerës së kësaj prone sipas zërit kadastral në kohën e shpronësimit. Vlerësimit financiar të pronës së njohur për kompensim do t’i zbritet diferenca që do të rezultojë nga vlerësimi financiar i tokës së kthyer apo kompensuar fizikisht në tokën e njohur.

Në ato raste, kur ka vendime përfundimtare, që kanë njohur të drejtën e kompensimit, që janë të përcaktuara me vlerë dhe ende të paekzekutuara, ATP do të bëjë vlerësim duke i shtuar vlerës së përcaktuar indeksimin sipas vlerës zyrtare të inflacionit dhe interesin bankar.
 
Kriteret
Sipas VKM-së, të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë bujqësore, pyll, livadh e kullotë përfitojnë kompensim fizik nga fondi i tokës. Ndërsa të gjitha vendimet përfundimtare, të vlerësuara financiarisht si tokë truall, përfitojnë kompensim financiar deri në 50 milionë lekë dhe pjesa e mbetur nga vlerësimi kompensohet fizikisht nga fondi i tokës.

Kriteri për shpërndarjen e fondit të tokës për kompensim fizik është që ATP-ja të përzgjedhë pronën gjeografikisht më pranë pronës së njohur për kompensim. Në rastet kur nga vlerësimi i vendimit përfundimtar për tokën truall rezulton se pjesa e mbetur është deri në 5% më e madhe se vlera 50 milionë lekë, subjekti kompensohet për të gjithë vlerën.

Kur subjekti kërkon të kompensohet financiarisht brenda 1 viti, atëherë ai përfiton 20% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër e kësaj vlere. E njejta gjë, por brenda 3 vjetësh, atëherë ai përfiton 30% të vlerës së kompensimit dhe heq dorë nga pjesa tjetër. Ndërsa, kur kërkon të kompensohet financiarisht brenda 5 vjetësh, ai përfiton 40% të vlerës.

ATP-ja mund të përdorë për kompensim fizik me pronë shtetërore pasuri, të cilat, në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, figurojnë në pronësi të shtetit dhe plotësojnë, të paktën, njerën nga kushtet e mëposhtme: toka të ndodhet ndërmjet ose ngjitur pronave/pronës së kthyer me vendim përfundimtar administrativ apo gjyqësor dhe toka të mos ketë asnjë funksion publik.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?

Analiza: A mund ta zgjidhë FMN-ja krizën e borxhit të vendeve të varfra?