Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka caktuar që të enjten, më 14 korrik, të mbajë seancën për miratimin e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, që i hap rrugën nisjes se bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shërbimet e Kuvendit kanë njoftuar se deputetëve me një fjalim do t’iu drejtohet edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Qeveria maqedonase, me kërkesë të deputetëve të martën pasdite ka dorëzuar në Kuvend të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me propozimin e Francës për kornizën e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Qeveria publikoi tre dokumentet nga korniza e negociatave, por jo protokollin dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kërkohet nga opozita.
Protokolli, siç bëhet e ditur, do të nënshkruhet në Sofje pas miratimit të propozimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë thonë se nëse propozimi francez pranohet, në fillim të javës së ardhshme mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së dhe menjëherë pas kësaj BE-ja do të fillojë negociatat me Shqipërinë.
Megjithatë, hapja e kapitujve do të fillojë vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë bullgarët në preambulë, siç parashikohet me propozimin për zgjidhjen e kontestit. Për të siguruar një shumicë prej dy të tretash për ndryshimin e Kushtetutës, nevojitet edhe përkrahja e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së, por kryetari i kësaj partie opozitare, Hristijan Mickoski, tha se nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës.
Opozita akuzon Qeverinë se pranimi i propozimit do të “bullgarizojë” maqedonasit, por Qeveria ka siguruar opinionin se gjuha dhe identiteti nuk rrezikohen me propozimin që e sheh si mundësi të vetme për zhbllokimin e integrimit evropian. Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por negociatat nuk i ka nisur asnjëherë, fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që u zgjidhur me marrëveshjen mes dy vendeve më 12 qershor të vitit 2018.
Por, kontesti me Bullgarisë ka lënë të hapur nisjen e bisedimeve pasi Sofja në nëntor të vitit veton duke e kushtëzuar heqjen saj me zgjidhjen e kontestit për gjuhë, identitetin dhe aspektet historike me Maqedoninë e Veriut./REL
Lajmi kryesor: