Trazirat në Shkup, Bullgaria i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut: Protestat anti europiane

Trazirat në Shkup, Bullgaria i dërgon notë proteste Maqedonisë së Veriut: Protestat anti europiane

Ministria e Jashtme e Bullgarisë

Bullgaria i ka dërguar notë proteste Maqedonisë së Veriut për shkak të manifestimeve dhe patrullimeve të shumta. Kjo erdhi pas protestave në Maqedoninë e Veriut, ku mijëra qytetarë u mblodhën të udhëhequr nga opozita dhe hodhën akuza ndaj qeverisë se po e shesin identitetin dhe gjuhën maqedonase duke pranuar të gjitha kërkesat e Bullgarisë.

Kjo erdhi pas propozimit francez që ndikoi në heqjen e vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, qeveria e së cilës pritet të japë vendimin nëse e pranon propozimin që më pas mund të pasojë në caktimin e datës për Konferencën e Parë Ndërqeveritare.

Por në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Bullgarisë thuhet se ajo që po ndodh me trazirat në Maqedoninë e Veriut është shqetësuese dhe vjen në një kohë kur Sofja dhe Shkupi po kërkojnë në mënyrë aktive një rrugë për një dialog konstruktiv dhe për të gjetur zgjidhje për integrimin europian.

Ndër të tjera, në deklaratë thuhet se manifestime të tilla do të bëhen pjesë e së kaluarës dhe dy vendet  do të mund të hapin një faqe të re në marrëdhëniet e tyre, bazuar në respektin e ndërsjellë dhe miqësinë e sinqertë.

"Në lidhje me manifestimet dhe parullat e shumta të drejtuara kundër Bullgarisë në hapësirën publike të Republikës fqinje të Maqedonisë së Veriut në ditët e fundit, Ministria e Punëve të Jashtme i dërgoi një notë Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Shpreh shqetësimin e thellë për atë që po ndodh, e cila është edhe në përgjigje të narrativës së përhapur antievropiane kundër vendosjes së marrëdhënieve të mira fqinjësore mes dy vendeve. Është veçanërisht shqetësues fakti që aktet dashakeqe në hapësirën publike po përshkallëzohen në kohën kur Sofja dhe Shkupi po kërkojnë në mënyrë aktive një rrugë për një dialog konstruktiv dhe për të gjetur zgjidhje të përhershme të pranueshme reciprokisht në interes të integrimit evropian të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Rajon", thuhet në deklaratë.

Sipas kreut të opozitës, propozimi francez i jep të drejtën shtetit Bullgar të ndryshojë libra dhe të shkruajë sipas diktatit bullgar. Ai pohoi gjithashtu se ky propozim u fsheh nga qeveria. 

“Propozim i cili është ultimatum për të ardhmen e Maqedonisë tonë. Propozim që është diktat për kërkesa megalomane, aspirata historike ndaj Maqedonisë. Për një propozim të tillë, përgjigja është “Jo falemnderit”. Propozimi që është në tavolinë dhe të cilin qeveria e fshehu dhe deri tek i cili erdhëm ne nëpërmjet kanaleve tona gjegjësisht është i njëjti i cili një herë ishte refuzuar. Me keqardhje duhet të konstatoj se ky propozim i përmban të gjitha kërkesat bullgare, edhe në pjesën e historisë, edhe në pjesën e gjuhës, edhe në pjesën e identitetit. Pranimi i këtij propozimi nënkupton e drejtë e plotë e Bullgarisë të ndryshojë libra dhe t’i shkruajmë sipas diktatit bullgar dhe fëmijët tanë në fillore të mësojnë siç dikton Bullgaria ose nuk ka të ardhme evropiane. Pranim se Goce Dellçev, Dame Gruev, Jane Sandanski dhe heronjtë e revolucionarët e tjerë kanë qenë bullgarë, se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Cili është 'Propozimi francez'?

Presidenca franceze e BE-së më 18 qershor ka dërguar një propozim për të thyer ngërçin bullgaro-maqedonas. Nuk është bërë publike, megjithëse mediat, përfshirë Shërbimin Bullgar të Radios Evropa e Lirë, kanë marrë kopje. Ai "mirëpret synimin e Shkupit" për të përfshirë në preambulën e Kushtetutës së Maqedonisë "qytetarë që jetojnë brenda kufijve të shtetit dhe janë pjesë e kombeve të tjera, si bullgarët". Futja e një klauzole të tillë do të kërkonte dy të tretat e votave në parlament. Propozimi nuk përmend specifikisht një "pakicë bullgare", por flet për detyrimin e qeverisë maqedonase për të mbrojtur të drejtat e të gjitha "minoriteteve dhe komuniteteve" duke parandaluar gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin.

Në të thuhet se Komisioni Evropian do të monitorojë dhe do t'i raportojë Këshillit Evropian për mënyrën se si Maqedonia respekton marrëveshjet. Propozimi "merr parasysh" synimet e të dyja palëve për të lëshuar "deklarata të njëanshme mbi çështjen e gjuhës maqedonase", me sa duket duke e lënë të hapur derën për veprim në Sofje dhe Shkup mbi këtë temë. Ai gjithashtu i imponon Shkupit një detyrim për të respektuar Traktatin e tij të Miqësisë të vitit 2017 me Sofjen, duke e drejtuar në mënyrë efektive Brukselin në monitorimin e pajtueshmërisë së asaj marrëveshjeje dypalëshe si dhe të të ashtuquajturës Marrëveshje të Sofjes të vitit 2018. Propozimi sugjeron dy konferenca ndërqeveritare, duke përfshirë një këtë javë në Bruksel dhe një tjetër pasi Maqedonia e Veriut ndryshon preambulën e kushtetutës.

Sipas Agjencisë Shtetërore të Lajmeve në Bullgari drafti tashmë i miratuar parashikon që së pari të garantohet hyrja e bullgarëve në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ku përmenden kombet e tjera dhe në baza të barabarta me këto kombe. Kusht tjetër është që të bëhet e qartë se asgjë në procesin e anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE nuk mund të interpretohet si njohje nga Republika e Bullgarisë të ekzistencës së "gjuhës maqedonase". Duhet të sigurohet që fqinjësia e mirë të mbetet një kriter horizontal deri në fund të negociatave të anëtarësimit të Shkupit në BE dhe Komisioni Evropian do ta mbajë Këshillin të informuar rregullisht për zbatimin e tij. Në kuadër të procesit negociator duhet të paralajmërohet edhe rishikimi periodik i zbatimit të marrëveshjes së fqinjësisë me Republikën e Maqedonisë Veriore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:58
Propozimi francez, të enjten mbahet seanca në Kuvendin maqedonas

1657648876_er.JPG

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut ka caktuar që të enjten, më 14 korrik, të mbajë seancën për miratimin e propozimit francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarisë, që i hap rrugën nisjes se bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shërbimet e Kuvendit kanë njoftuar se deputetëve me një fjalim do t’iu drejtohet edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Qeveria maqedonase, me kërkesë të deputetëve të martën pasdite ka dorëzuar në Kuvend të gjithë dokumentacionin që ka të bëjë me propozimin e Francës për kornizën e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Qeveria publikoi tre dokumentet nga korniza e negociatave, por jo protokollin dypalësh midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, që kërkohet nga opozita.

Protokolli, siç bëhet e ditur, do të nënshkruhet në Sofje pas miratimit të propozimit në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Burime diplomatike për Radion Evropa e Lirë thonë se nëse propozimi francez pranohet, në fillim të javës së ardhshme mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së dhe menjëherë pas kësaj BE-ja do të fillojë negociatat me Shqipërinë.

Megjithatë, hapja e kapitujve do të fillojë vetëm pasi Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë bullgarët në preambulë, siç parashikohet me propozimin për zgjidhjen e kontestit. Për të siguruar një shumicë prej dy të tretash për ndryshimin e Kushtetutës, nevojitet edhe përkrahja e disa deputetëve të VMRO-DPMNE-së, por kryetari i kësaj partie opozitare, Hristijan Mickoski, tha se nuk do të mbështesë ndryshimin e Kushtetutës.

Opozita akuzon Qeverinë se pranimi i propozimit do të “bullgarizojë” maqedonasit, por Qeveria ka siguruar opinionin se gjuha dhe identiteti nuk rrezikohen me propozimin që e sheh si mundësi të vetme për zhbllokimin e integrimit evropian. Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por negociatat nuk i ka nisur asnjëherë, fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit, që u zgjidhur me marrëveshjen mes dy vendeve më 12 qershor të vitit 2018.

Por, kontesti me Bullgarisë ka lënë të hapur nisjen e bisedimeve pasi Sofja në nëntor të vitit veton duke e kushtëzuar heqjen saj me zgjidhjen e kontestit për gjuhë, identitetin dhe aspektet historike me Maqedoninë e Veriut./REL

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni

Studentët në Beograd sërish në rrugë, ndalen para Prokurorisë së Përgjithshme: Të luftohet për ligjin dhe rendin pa u ndikuar nga politika e korrupsioni