Propozimi i Ramës: Shqipëria e
Kosova një President kombëtar

Propozimi i Ramës: Shqipëria e<br />Kosova një President kombëtar<br /><br>
Kosova dhe Shqipëria do ta kenë një politikë të jashtme, e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president si simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ku u zhvillua ceremonia solemne për 10 vjetorin e pavarësisë.

Kreu i qeverisë shqiptare ka thënë se një president i përbashkët Kosovë-Shqipëri do të ishte simboli më i mirë i një uniteti të të dyja vendeve. “Mbase ky përfytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e nacionales. Por historia për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet nuk është e pamundur të realizohet.

I nderuar Kryetar i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli!

I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj!

Të nderuar miq e kolegë nga Tirana, Zoti President, Zoti Kryetar, Zoti Berisha, Basha dhe miq e partnerë të shtrenjtë të Kosovës dhe të Shqipërisë!

Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës!

Sot e një dekadë më parë, pas një rrugëtimi shekullor të mbushur me histori, ngjarje e rrëfime të pabesueshme qëndrese dhe sakrificash, ëndrra dhe ideale të pamposhtura të njerëzve për lirinë e tyre, Kosova realizoi një aspiratë të madhe historike, duke u vendosur si shtetit më i ri në hartën politike të globit. Ajo sot numëron më tepër se 115 njohje ndërkombëtare dhe ka shënuar një progres të konsiderueshëm në konsolidimin e sovraniteti të saj, fuqizimin e institucioneve dhe shtetit demokratik.

Nga qëndresa e brezave që kaluan nëpër mbretërinë e parë jugosllave, tek shtypja e viteve të komunizmit e diskriminimi etnik, rezistenca paqësore dhe civile e fillimviteve ’90-të dhe shfaqja vendimtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në muzgun e fundëm të shekullit të XX, është një histori e re, pesha e së cilës tejkalon mundësitë e gjuhës, për ta pasqyruar atë në të gjithë përmasat e saj. Prandaj ju lutem të ma falni shmangien e historisë në këtë fjalë përshëndetëse.

Besoj se jeni të tërë në një mendje me mua, që vetëm dy dekada më parë, kremtimi i pavarësisë së Kosovës ishte më shumë një utopi, sesa një objektiv i arritshëm në harkun e gjallesës sonë, lëre pastaj, adresimi i Kryeministrit të Shqipërisë në Kuvendin e Kosovës për 10-vjetorin e kësaj pavarësie, që ma ha mendja, nuk do të ishte i mundur as përmes fantazisë më pjellore letrare. Por e gjitha kjo ka ndodhur dhe kur konformizmi e rënia e idealeve politike dukeshin si fat i pashmangshëm, angazhimi i paepur i njerëzve të zakonshëm të këtij vendi, heronjve të dalë nga gjiri i këtij populli, e ka bërë të mundur më të pamundurën.

Kosova dhe Shqipëria, sot janë dy realitete formalisht të ndara administrative, por tanimë, si pjesë e një rrëfimi të përbashkët historik, një ndjenje të unifikuar kombëtare dhe të një interesi të pandashëm politik, ato tashmë jetojnë në një fushë të njëjtë mediatike, në një ndërveprim të natyrshëm ekonomik, në një bashkëveprim politik dhe institucional të vazhdueshëm, në funksion të përafrimit të pandalshëm të programit kombëtar të së ardhmes.

Mbi pasqyrën e këtij realitetit të sotëm nuk është e pamundur të parafytyrohet rruga për të ardhur këtu, në Prishtinë, 10 vjet nga sot, në kremtimin e 20 vjetorit të Ditës së Pavarësisë së Kosovës, pa pikë kufitare në Morinë dhe me mijëra dhjetëvjeçarë të sotëm të Shqipërisë e të Kosovës, që në mbrëmjen e asaj dite do të bashkohen në sheshin e Skënderbeut për të ndjekur një Rita Orë të re.

Puna e nisur me një mbledhje qeveritare të përbashkët dhe e vazhduar me këtë sistem mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe bashkëpunimi në të gjitha rrafshet do të jetë kurorëzuar me një sistem, jo vetëm të unifikuar arsimor, por dhe të garantuar prej standardeve të jetësuara europiane. 

Lëndimi i rëndë arsimor, qoftë nga pasojat e rënda të komunizmit në Shqipërinë e tranzicionit, qoftë nga pasojat e rënda të izolimit të Kosovë, do të jetë një kujtim i të shkuarës, i cili do t’ia ketë lënë vendin një gjenerate të re shqiptarësh, të mirëedukuar, me dije të barasvlershme me bashkëmoshatarët e tyre në Europë, ku suksesi shkollor i nxënësve dhe studentëve tanë nuk do të jetë një arritje thjesht individuale, por një ndërmarrje e organizuar kombëtare e shoqërore.

Sistemi doganor do të jetë i unifikuar dhe hapësira e përbashkët tregtare dhe ekonomike do të ketë hyrë në fazën e një lulëzimi të pakthyeshëm, falë dhe një integrimit të suksesshëm rajonal. Në këtë hapësirë të integruar, turizmi do të jetë kthyer në një industri të fuqishme të zhvillimit, falë shfrytëzimit të bukurive e pasurive natyrore, si dhe të larmisë së traditës shqiptare, nga Bjeshkët e bardha të maleve të Rugovës në pllajat blu të Ksamilit, falë sigurisht, edhe një infrastrukture moderne të lëvizjes nga cepi i epërm i Kosovës, tek cepi i mbramë i Shqipërisë.

Dialogu i vështirë me Serbinë do të jetë dhe ai histori dhe shqiptarët dhe serbët do të bashkëjetojnë në funksion të së ardhmes, si dy popuj në fqinjësi të mirë dhe pjesë e pandarë e Bashkimit Europian. Kosova dhe Shqipëria do të kenë një politikë të jashtme e jo veç ambasada dhe përfaqësi diplomatike të njëjta, por pse jo, një president, simbol të unitetit kombëtar dhe një politikë kombëtare të sigurisë.

Mbase, ky parafytyrim sot mund të mos jetë i këshillueshëm në rrafshin e racionales, por historia, për të cilën mora leje qysh në fillim për të mos folur sot, na këshillon se çka është e drejtë të ëndërrohet, nuk është e pamundur të realizohet. E ardhmja u takon atyre që i paraprijnë asaj dhe e shkuara e 20 viteve të fundit të këtij vendi, Kosovës, i ka paraprirë falë njerëzve po të këtij vendi, një të ardhmeje që në çdo rast është më e afërt, sesa largësia që shohim sot.

Teksa shpaloste peripecitë e panumërta të Shqipërisë pas Pavarësisë, në kujtimet e tij, Eqerem Bej Vlora mes të tjerash shkruante: “Tre herë jam gjykuar për shkak të kësaj dashurie tekanjoze me emrin Shqipëri. Një herë prej turqve, sepse e dashuroja atë si shumë. Një herë prej rebelëve fanatikë, sepse nuk e urreja dhe tani prej bashkëqytetarëve të mi, sepse nuk e dashuroja sa duhet. Më vinte për të qeshur. Tani kjo dashuri e marrë mori fund, i thashë vetes. Por ishte e thënë të ndodhte ndryshe”.

Pothuajse një shekull më vonë, qysh se ky përjetim pat frymëzuar një prej pendëve më të vyera shqiptare, betejat e brendshme, konflikti ndërpartiak i ditës dhe pezmi politik i seancave kuvendore në Shqipëri dhe në Kosovë, ende rëndojnë në këmbët tona në vrapimin drejt të ardhmes. Sidoqoftë, edhe sot, sikurse atëherë, duket qartë se është e thënë të bëhet ndryshe.

E nëse sot, mundësitë institucionale të dy shteteve tona janë edhe objektivisht më të kufizuara, sesa energjitë dhe talentet e popullit tonë këtej e andej Bjeshkëve, Kosova dhe Shqipëria duhet të mendojnë jo vetëm për njëra – tjetrën, por edhe nëpërmjet njëra – tjetrës, perspektivën e përbashkët e kësisoj, perspektiva e përbashkët do të bëhet e tyrja.

Dekada e fundit e këtij vendi ku sot kremtojmë jubileun e 10 të Pavarësisë, nuk është rast për të romanituzar të shkuarën, por mundësi për të rimenduar të ardhmen. Përvjetorët e Kosovës, ashtu sikurse të shqiptareve në tërësi nuk duhen lënë të shndërrohen në retrospektivë vetëkënaqësie, por duhen kthyer në perspektivë vetëpërsosjeje.

Me dëshirën e madhe që në 20 vjetorin e Pavarësisë, unë të jem përsëri këtu, por atëherë thjesht si baba i Zahos, me djalin adoleshent, që do të vijë të shijojë koncertin e Rita Orës së re, në realitetin e imagjinatës së sotme që sapo përshkova për Shqipërinë dhe për Kosovën dhe me vendosmërinë që si Kryeministër i Shqipërisë të bëj gjithçka mundem që ashtu të ndodhë, ju falënderoj nga zemra për këtë nder të posaçëm që mu bë sot si folës nga kjo tribunë dhe ju uroj të gjithëve gëzuar festën"

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

U fut për t'u larë, 25 vjeçari polak rrezikon mbytjen te Liqeni i Tiranës

U fut për t'u larë, 25 vjeçari polak rrezikon mbytjen te Liqeni i Tiranës