Në studion e emisionit ‘Repolitix’ me gazetarin Denis Minga në Report Tv, analisti Arben Meçe, ish-deputeti Azgan Haklaj, politikani Arjan Galdini dhe këshilltari socialist në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi, diskutuan mbi investimin që pritet të bëhet në Zvërnec dhe protestat qytetare.
Kompania ‘Albania Land Development’, e blerë nga dy vëllezërit e njohur nga Katari, Moutaz dhe Ramez Al-Khayyat, në bashkëpunim me Jared Kushner-in, dhëndrin e Presidentit amerikan Donald Trump, synojnë një investim gjigant prej 4 miliard dollarësh për ndërtimin e një resorti luksoz në Zvërnec. Por ndërtimi i resortit është pritur me protesta nga banorë të zonës. Protestat kanë marrë një shkallë më të gjerë dhe janë zhvendosur gjatë tre ditëve të fundit në Tiranë.
Analisti Arben Meçe tha gjatë fjalës së tij, se në protestat e zhvilluara në Tiranë kundër investimit në Zvërnec, ka pasur shumë njerëz të ardhur me autobusë nga Greqia, por edhe shumë greqisht-folës që janë me pasaporta greke dhe që jetojnë në Shqipëri.
Teksa vlerësoi projektin që pritet të ndërtohet, Meçe tha se para nisjes së valës së këtyre protestave, nuk ka pasur pretendime apo padi gjyqësore për pronën ku do të ndërtohet resorti.
Ai shtoi se një pjesë e konsiderueshme e protestuesve që kundërshtojnë ndërtimin e resortit në Zvërnec, i shërbejnë interesave të caktuara.
“Pyetja që ne kemi bërë gjatë gjithë debatit është ‘çfarë kërkohet në këtë protestë?’. Sepse në këtë protestë unë shoh unë shoh parrulla ‘Trumpka largohu nga Shqipëria’, ‘poshtë islamizmi’, ‘nuk shitet Shqipëria’ dhe ‘Rama në burg, Berisha në burg’. Po t’i mbledhësh të gjitha këto, duke përfshirë edhe atë që unë kam 3 ditë që po vazhdoj ta evidentoj. Unë para 2-3 ditësh kam nxjerrë një foto të hyrjes së autobusëve grekë në Shqipëri. Në Zvërnec, 30 e kusur vite atë pronë me dokumenta e poseidon një individ dhe një grup individësh. Dhe gjatë këtyre viteve nuk ka pasur asnjë proces ligjor për pretendime. Por para-pardje, kemi një deklaratë të shtetit grek që ndezi fitilat, deklaratë që fliste për troje greke në Zvërnec, për qytetarë grekë në Zvërnec. Dhe në funksion të saj lëvizje të tëra u bënë, me individë greqisht-folës, që janë edhe në protestën në Tiranë. Jemi edhe me njerëz të sjellë nga Greqia. Në dijeninë time SPAK ka filluar sot çështjen për autobusët e ardhur nga Greqia. Ata kërkojnë t’u hapet rruga për interesat e veta”, tha mes të tjerash Meçe.
Nga ana tjetër, ish-deputeti Azgan Haklaj, është shprehur se oligarkët në Shqipër po grabisin pasuritë kombëtare, në emër të investitorit strategjik.
Teksa deklaroi se në Shqipëri është marrë peng demokracia, Haklaj tha se problematikat me pronat nuk janë vetëm në Zvërnec, por të të gjithë zonën perëndimore të Shqipërisë. Sipas Haklajt, 2 persona janë përgjegjës për situatën problematike me pronat në Shqipëri, kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Sali Berisha.
“Situata nuk është e tillë vetëm në Zvërnec, por në të gjithë ultësirën perëndimore. Dhe ata persona kanë bërë përgjegjës vetëm 2 persona, Edi Ramën dhe Sali Berishën. Rama e përdor Berishën. Rama e ka ndryshuar disa herë qëndrimin për Zvërnecin. Sot kërkohet transparencë, sepse gjithçka që është pasuri kombëtare, e kanë marrë oligarkët në emër të investitorit strategjik. Është peng demokracia shqiptare”, tha mes të tjerash Haklaj.
I veçantë ishte qëndrimi i politikani Arjan Galdini, i cili tha se ishte kundër jo vetëm gjithë klasës politike në Shqipëri, por edhe kundër protestës së zhvilluar për Zvërnecin.
Ai tha se ishte skeptik për qëllimin e kësaj proteste, teksa shtoi se protestuesit janë entuziastë dhe shpresojnë të arrijnë diku përmes këtyre tubimeve.
“Këtu është investuar prej vitesh për të bërë republikën e mos-kuptimit dhe absurdit. Aty ka entuziazëm. Mendoj se ata njerëz besojnë se diku do të mbërrijnë me këtë protestë. Pastaj pse po ndodh kjo, është ajo gjëja që më bën skeptik. Jam i vetmi në Shqipëri që jam qartësisht kundër Edi Ramës, Sali Berishës, Ilir Metës dhe protestës si industri. Unë jam Arjan Galdini dhe unë jam protesta. Sepse protesta është ajo protestë që bëhet çdo ditë me rezistencë jetësore. Kur e gjithë Republika është e gjunjëzuar nga Rama e Berisha, unë jam i vetmi që vijoj e qëndroj si ai burimi që bëj qëndresën time, pa fitim, pa bonus, pa rrogë e tender”, tha mes të tjerash Galdini.
Nga ana tjetër, këshilltari socialist në Bashkinë e Tiranës, Alfred Muharremi, teksa dënoi dhunën e disa ditëve më parë të ushtruar nga disa roje privatë ndaj protestuesve në Zvërnec, tha se ishte pro investimit prej 4 miliardë dollarësh që pritet të ndërtohet në zonë.
Muharremi tha se ky investim është nga më të mëdhenjtë për Shqipërinë dhe shtoi se në këtë mënyrë vendi ynë do të shkëputej gradualisht nga ‘turizmi i byrekëve’ dhe do të avanconte drejt turizmit elitar.
Lidhur me thirrjet në protestë për rrëzimin e kryeministrit nga pushteti, Muharremi shprehu bindjen se Rama është i vetmi lider që nuk i ka tradhtuar kurrë interesat e shqiptarëve.
“Unë e përgëzoj, nëse qëllimi i protestës është kundër dhunës barbare ndaj protestuesit, e ushtruar nga policia private në sytë e Policisë së Shtetit. Ajo ishte barbare dhe mua më pëlqyen edhe masat e menjëhershme që u morën. Por kam bindje se pjesa më e madhe e këtyre individëve janë duke protestuar të painformuar. Po i bëhet dezinformim projektit strategjik që do të injektojë në ekonominë shqiptare 4 miliardë dollarë, sa pothuajse 60% e të gjithë buxhetit të Shqipërisë për një vit. Një injektim që ne do të na sjellë të ardhura më të larta. Do të na sjellë në standardin e turizmit elitar, që të mos ngelemi më në atë turizmin e kërpudhave dhe të byrektoreve. I them protestuesve me shumë përulje, në një protestë pavarësisht keqinformimit që mund të keni, duhet të dini se nuk ka një projekt. Ka ide si mund të zhvillohet ajo zonë, ka kërkesë për investim në atë zonë. Nëse ka një lider sot në Shqipëri që nuk ka tradhtuar asnjë shqiptar dhe nuk ka shitur asnjë pronë publike, është Edi Rama. Sot shteti shqiptar në Sazan është aksioner kryesor. Rama s’e ka qejf karrigen e vet, por të gjithë e bën për shqiptarët. Ça ka vjedhur Rama?”, tha mes të tjerash Muharremi.
Protesta e qytetarëve që kundërshtojnë ndërtimin e resortit në Zvërnec të Vlorës vazhdoi edhe ditën e sotme në Tiranë, ku mijëra persona u mblodhën fillimisht në ‘Sheshin Skënderbej’ dhe më pas marshuan në drejtim të Kryeministrisë dhe zona të tjera të kryeqytetit.
Komente











