Propozimi i fundit i marrëveshjes i dërguar nga Teherani në Uashington përfshin disa elemente kryesore: heqjen e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Teheranit, lirimin e aseteve iraniane të ngrira jashtë vendit, përfundimin e “bllokadës” ekonomike të vendosur ndaj vendit, tërheqjen e forcave amerikane nga zonat pranë Iranit dhe mbulimin e shpenzimeve për dëmet e shkaktuara nga lufta.

Plani parashikon gjithashtu përfundimin e konfliktit në të gjitha frontet rajonale, përfshirë Libanin, sipas zv/ministrit të jashtëm iranian.

SHBA ka kërkuar që Irani të heqë dorë nga ambiciet bërthamore. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë tha se Irani nuk mund të ketë uranium të pasuruar dhe kjo përbën një “vijë të kuqe” në negociata, së bashku me ndalimin e plotë të programit bërthamor iranian.

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka thënë se këto kërkesa janë “të tepruara.”

New York Times raporton se Irani po përgatitet për mundësinë e rifillimit të sulmeve amerikane dhe ka lënë të kuptohet se nuk do të hezitojë t’u imponojë një çmim të lartë vendeve fqinje dhe ekonomisë botërore në rast agresioni.

Ndër opsionet që Teherani po shqyrton do të ishte vendosja e kontrollit mbi Ngushticën e Bab al-Mandeb, ngushtica detare që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit dhe përmes së cilës kalon një e dhjeta e tregtisë botërore. Ngushtica ndodhet pranë territoreve të kontrolluara nga Houthit, një milici jemene e mbështetur nga vetë Irani.

Sa i përket vetë luftimeve, raportohet se udhëheqësit iranianë i parashikojnë ato si “të shkurtra, por me intensitet të lartë”, përfshirë sulme të rënda të koordinuara ndaj infrastrukturës energjetike iraniane.

Përgjigjja iraniane do të ishte lëshimi i dhjetëra ose qindra raketave në ditë për të “përballuar në mënyrë efektive armikun dhe për të ndryshuar situatën edhe në anën tjetër”. Kjo do t’i detyronte vendet arabe të Gjirit të përgatiten për një intensifikim të sulmeve ndaj infrastrukturës së tyre energjetike.

Ky raportim vjen pas deklaratës së gjeneralit iranian Reza Talaei-Nik se Trump “nuk ndalon së bëri deklarata të rreme” për forcën ushtarake të Iranit, pas komenteve të këtij të fundit për shkatërrimin e kapaciteteve./La Repubblica

Lajm në përditësim…